Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.
Pas raportimeve të Gazetës Online Insajderi se burimet brenda Presidencës bënë të ditur se mesi i shkurtit e pret Kosovën me zgjedhjet e jashtëzakonshme, është dhënë edhe konfirmimi zyrtar nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani.
Ndërkohë që me vendim të kësaj të fundit, është shpërndarë Kuvendi.
Insajderi ka siguruar edhe dokumentin ku tregohet për vendimin e marrë nga Shefja në detyrë e Shtetit.
Ky vendim është marrë pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me votën e deputetit Etem Arifi për Qeverinë me në krye Avdullah Hotin.
Vendimi i cili u kumtua më 21 dhjetor, u publikua më 6 janar.
Çështjen diskutabile të votës së Arifit në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar deputeti, Liburn Aliu dhe 16 kolegë të tij.
Sipas dekretit, Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi vota e Etem Arifit nuk ishte e vlefshme kur u votua Qeveria Hoti më 6 qershor.
Etem Arifi ishte dënuar për shkak të “keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
“Në këtë kërkesë kushtetuese, 17 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 07/V-014, për zgjedhjen e Qeverisë, të nxjerrë me 3 qershor 2020. Parashtruesit pretendojnë se Vendimi në fjalë është në kundërshtim me Kushtetutën, përkatësisht me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë], në lidhje me nënparagrafin 6 të paragrafit 3 të nenit 70 [Mandati i Deputetëve] të Kushtetutës. Kjo sepse, sipas parashtruesve, në procedurën e votimit të Vendimit të kontestuar ka marrë pjesë edhe Etem Arifi, vota e të cilit ishte e pavlefshme për shkak të dënimit të tij me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë”, thuhet ndër tjerash në dokument. /Insajderi.com