Ekspertët e sigurisë e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për ndarjen e mbi 100 milionë eurove për Forcën e Sigurisë së Kosovës, transmeton Insajderi.
Ndonëse ky vendim po cilësohet hap i mbarë nga ekspertët e sigurisë, sipas tyre duhet ende të ketë rritje të buxhetit për t’i plotësuar nevojat e Ushtrisë.
Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë thotë se është mirë që qeveria e re e ka marrë më seriozisht këtë çështje, për të kontribuar në ngritjen e kapacitetet të FSK-së.
“Qeveria e re në kornizën buxhetore 2022-2024 parasheh edhe rritjen buxhetore të FSK-së për 100 milionë euro që është inkurajuese, pasi që jemi në fazën e tretë të pandemisë e cila ka një rënie dhe është një investim kapital për FSK-në në një fazë të tranzicionit, dhe unë shpresoj që qeveria e re e ka marrë shumë më seriozisht se qeveritë e mëparshme këtë çështje të sektorit të sigurisë, duke shpresuar që të arrijë kapacitetet e saj pas disa viteve aty ku duhet”, tha Ibishi për EO.
Më tej ai theksoi se mundësitë e krahasimit me vendet e tjera të rajonit sa i përket armatimit janë larg, por që ky buxhet i parashikuar është pozitiv dhe do ndihmojë në rritjen e furnizimit ushtarak.
Në anën tjetër, Ish-komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, thotë se prioritet kryesor i çdo qeverie do duhej të ishte mbrojtja dhe siguria për të pasur kapacitetet e përmbushjes së misionit të tyre. Sipas tij, pavarësisht lajmit të mirë të këtij buxheti, qeveria do duhej të ndante buxhet më të madh duke e pasur parasysh shpenzimet dhe rritjen e kapaciteteve për FSK-në.
“Unë edhe shumë më herët e kam cekur që qeveritë e ardhme duhet që prioriteti mos të jetë më asfalti apo investimet që janë bërë por duhet të kalojë një prej prioriteteve kryesore që është mbrojtja dhe siguria, për arsye se është shumë e nevojshme që Ushtria e Kosovës të ecë drejt arritjes së kapaciteteve të veta për t’i përmbushur misionet dhe detyrimet e veta. Ky paralajmërim është i mirë, por prapë them se nuk është i mjaftueshëm. Ushtria e Kosovës sipas ligjeve do t’i ketë pesë mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë, dhe nëse marrim që ushtria vitin e ardhshëm do t’i rrit për një mijë persona kapacitetet e veta njerëzore atëherë vetëm në paga e uniforma, armë personale dhe shpenzime tjera do t’i harxhon këto para shtesë sa janë të parapara. Qeveria do duhej shumë më shumë të ndante mjete financiare sepse ne jemi në fazën e ngritjes së kapaciteteve, ne çdo gjë për me arrit këto kapacitete Kosova do duhej që t’i blejë për herë të parë siç janë armatimet dhe pajisjet e sofistikuara”, tha ai.
Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2022-2024 e miratuar në mbledhjen e 10-të të Qeverisë parasheh që, duke filluar nga viti i ardhshëm, buxheti vjetor i Ministrisë së Mbrojtjes për herë të parë të jetë mbi 100 milionë euro. /Insajderi.com