Ekspertët e sigurisë në vend vlerësojnë se gjendja në veri nuk është stabile, andaj duhet të shtohet numri i kontrolleve në atë pjesë, transmeton Insajderi.
Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë thotë se në veri vazhdimisht ka raste të inskenuara, por që Policia e Kosovës duhet të jetë gjithmonë e gatshme për ndërhyrje, dhe që qytetarët të ndihen të sigurt.
Sipas tij, vendimet e Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare për mbështetjen e Forcës së Sigurisë të Kosovës, do të kontribuojnë në mbrojtjen e vendit dhe sigurinë globale.
“Po falë asaj që pjesëtarët e FSK-së ato fazat e tranzicionit prej UÇK-së në TMK, edhe tash në FSK, mendoj që kanë arritur, por edhe tranzicioni që ndodhi në vitin 2019, tash e shoh një fazë më të përshpejtuar sidomos kur realisht që krejt zhvillimi i kësaj varet edhe prej financave dhe kur kjo Qeveria ndan mjete atëherë edhe paraqitet një mundësi më e madhe për Kosovën”, ka thënë ai për EO.
“Po është mirë edhe në aspektin e pajisjes me mjete luftarake, armatim e pajisje por edhe në aspektin infrastrukturor, dhe kjo jep një shpresë. Fatmirësisht kemi një ministër që vjen nga një shtet që është anëtar i NATO-s, dhe mendoj që do t’i shtyjë proceset përpara”, tha Ibishi.
“Në veri çdoherë duhet me prit raste të inskenuara që do ndodhin, janë të rastësishme, por mbetet që Policia e Kosovës me njësitet e veta të specializuara të jetë e gatshme dhe ndërhyn në çdo moment, dhe që janë bindur edhe qytetarët e veriut por edhe të Kosovës që na kemi kapacitete të Policisë së Kosovës që mund ta kryejnë detyrën dhe ta mbajnë rendin e qetësinë. Tash mbetet në politikën që të përkushtohet në çështjet e tjera të harmonizimit të zhvillimit edhe ekonomik por edhe të aspekteve të tjera”.
Edhe ish-komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, thotë se gjendja e sigurisë në Kosovë nuk është stabile.
“Siguria në veri nuk është stabile, ne duhet ta pranojmë një realitet dhe mos t’i gënjejmë qytetarët sepse ne atje kemi shumë pak kontrolle, shumë pak mundësi me intervenua sepse nuk kemi investua sa duhet. Do duhej që të ulemi bashkë me faktorin ndërkombëtar, që të bëhet një strategji se si t’i qaset asaj pjese dhe duhet që ne ta marrim kontrollin atje”, tha ai.
“Rasti i fundit tregon që qytetarët nuk janë të sigurt të lëvizin atje, p’e shohim që një prej elementeve në veri është se atje nuk paguhet asgjë, nuk respektohet shteti i Kosovës, dhe 21 vite pas luftës kjo është e papranueshme”. /Insajderi.com