Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, sot gjatë ditës publiko disa fotografi nga vendipunimi në Veternik, ku shpërfaqi punëtorët të papajisur me pajisje mbrojtëse, shkruan Gazeta Insajderi.
Mbi këto fotografi, ministri Abdixhiku, shkroi se është kënaqësi, duke i parë mbi 60 punëtorë e 20 makineri të rënda sot në vendpunishte për të hapur qarkullimin sa më parë.
Por, ekspertëve të ndërtimtarisë, nuk iu iku kjo gjë. Ata nuk nguruan që në komente t’i tregojnë Abdixhikut se ka shumë parregullsi në këto foto që ka publikuar.
Eksperti i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, Bekim Doli, shkroi duke i treguar dhe sugjeruar ministrit se përveç punëtorëve edhe ai dhe stafi i tij gjatë inspektimit duhet të jenë të pajisur me PPM (pajisje personale mbrojtëse).
“I nderuari minister ne te gjitha fotot e postimit tuaj ka
parregullsi sa i perket SSHP ( sigurise dhe shendetit ne pune) te gjithe punetoret jane te pa paisur me PPM ( paisje personale mbrojtes) etj. Kjo nuk eshte knaqesi z. Minister. Edhe nje sygjerim nga une i nderuari minister ju dhe stafi i juaj gjate inspektimeve obligoheni qe te jeni te paisur me PPM dhe te rreflektoni siguri profesionalizem dhe te jeni shembull per te tjeret. Suksese ne pune”, ka shkruar Doli.
Ndërsa, msc i ndërtimtarisë Leonard Sinani, i tregoi atij që e ka obligim që të kujdeset për punëtorët, duke ia kujtuar që brenda vitit në Kosovë humbin jetën rreth 20 punëtorë në ndërtimtari.
“Z.Minister, knaqësi është kur të punohet si duhet,
Një javë më parë ju dhashë një vërejtje në lidhje me sigurin e puntorve e ju e injoruat, z.Minister e keni obligim që të kujdeseni për puntorë, brenda viti ne KS.humbin jeten 20 puntorë ne ndërtimtari.
Cilin model po don me jap tek puntori?”, përfundoi duke e pyetur Sinani.
Por asnjëri nga ekspertet nuk u mor parasysh nga ministri. Ai nuk iu ktheu përgjigje atyre, mirëpo ndjekësit e shumtë të Abdixhikut i pëlqyen mjaft shumë të dy kritikat e tyre./ Insajderi.com