Eksperti amerikan: Derisa Serbia të tregojë vullnet, Kosova të mos marrë pjesë në bisedime për hir të dialogut

Eksperti amerikan: Derisa Serbia të tregojë vullnet, Kosova të mos marrë pjesë në bisedime për hir të dialogut

Njohësi amerikan i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, David Philips, thotë se qasja e kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, në tavolinën e bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e duhura dhe e nevojshme për Kosovën, transmeton Insajderi.

Me këtë ndryshim të rrjedhës së negociatave nga pala kosovare, Philips nuk sheh marrëveshje që përfundimisht iu jep zgjidhje konflikteve mes kosovarëve dhe serbëve në një të ardhme të afërt. Por, për mossuksesin e tentativave për pajtim, ai gjen fajtore Serbinë dhe personalisht presidentin Vuçiq.

Philips thotë se Kosova s’ka nevojë të nënshkruajë një marrëveshje që është në dëm të saj vetëm për hir të dialogut.

“Siç ka treguar Kurti, Kosova ka problemet urgjente: vendet e punës, drejtësia dhe pandemia COVID-19. Kosova tashmë është vend i pavarur dhe nuk ka nevojë që të negociohet statusi i saj. Detajet për një njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohen. Derisa Serbia të tregojë vullnetin e mirë, kryeministri Kurti duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos marrë pjesë në bisedime thjesht për hir të dialogut”, ka thënë ai për portalin “Klan Kosova”.

Philips vlerëson se SHBA-të duhet të përfshihet më direkt në dialog, duke emëruar një emisar presidencial që do të plotësojë atë evropian, Miroslav Lajçak, në përpjekjet e tij.

“Një marrëveshje përfundimtare mund të ndodhë vetëm kur Vuçiq të kuptojë çmimin që do të paguajë për pengesat. Duhet të ketë një kosto për Vuçiqin personalisht nëse ai vazhdon të mohojë realitetin dhe të pengojë progresin”, ka thënë ai. /Insajderi.com