Eksperti amerikan, Alon Ben Meir, ka reaguar pas publikimit të një fotografie nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në të cilën hartën e Kosovës e ka mbuluar me flamurin serb, përcjell Insajderi.
Ai ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashikimi Evropian që ta dënojnë këtë veprim të Vuçiq, të cilin e ka quajtur provokim.
Ben Meir tutje ka shtuar se presidenti amerikan, Joe Biden duhet të dërgojë mesazh të qartë te Vuçiqi, se pavarësia e Kosovës s’do të jetë më kurrë objekt negocimi.
“SHBA-të dhe BE-ja duhet ta dënojnë provokimin e Vuçiqit. Presidenti i SHBA-së duhet të dërgojë mesazh të qartë tek Vuçiq se pavarësia e Kosovës nuk do të jetë më kurrë subjekt diskutimi”, ka shkruar Alon Ben Meir në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se, Aleksandar Vuçiq mbi fotografinë të cilën e ka postuar në Instagram ka shkruar se “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”.
Këtë ai e ndërlidhur me trazirat e marsit të 2004-ës ku mbetën të vdekur 11 shqiptarë dhe tetë serbë derisa qindra të tjerë u lënduan.
Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve, ndërsa shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.
Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë./Insajderi.com