Profesori amerikan në Universitetin e New Yorkut, njëherësh edhe njohës i çështjeve të Ballkanit, Alon Ben-Meir, thotë se fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, Albin Kurti, po bën një gabim të madh duke lavdëruar presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, të cilin Ben-Meir e quan “një diktator i pamëshirshëm që është i vendosur të përhapë agjendën e tij islamike në të gjithë Ballkanin”, njofton Insajderi.
Sipas Ben-Meir, në vend se Kurti të bëjë hapa të gabuar sa i përket strategjisë gjeopolitike, në vend të kësaj është më mirë të kërkojë një hetim mbi “kontratat e dyshimta që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nënshkruar e të cilat i dhanë Erdoganit kontrollin mbi pasuritë kryesore të shtetit”.
“Nëse Kurti me të vërtetë dëshiron të luftojë korrupsionin, ky është shansi i tij për të filluar”, ka shtuar ai.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka paralajmëruar Kosovën se ky vendim mund të dëmtojë marrëdhëniet e ardhshme me vendin e tij.
“Unë besoj se do të ishte e dobishme të shmangim një veprim të tillë që do t’i shkaktonte dëm të madh Kosovës”, tha Erdogan.
Kurti e ka gjetur veten në një pozitë të vështirë diplomatike përpara marrjes së postit të kryeministrit, pas lidhjeve diplomatke të Kosovës me Izraelin.
Të hënën, Kurti u takua me ambasadorin turk në Prishtinë dhe vendimi i Kosovës për të hapur një ambasadë në Jeruzalem ishte midis temave të diskutimit.
“Vendi ku do të vendoset ambasada do të konsiderohet pas kontrollit të dokumentacionit të qeverisë në largim,” është thënë në deklaratën e lëshuar nga Vetëvendosje pas këtij takimi. /Insajderi.com