Një ekspert italian përmes një analogjie me kafshë të egra e ka shpjeguar procesin e dobësimit të virusit COVID-19.

Corona virus një herë ishte si një “tigër agresiv”, por tashmë është dobësuar dhe ka marrë më shumë formën e një “maceje”.
Kështu e përshkruan një ekspert italian procesin e dobësimit të virusit.
Profesori italian, Matteo Bassetti, thotë se është i bindur se virusit “po i ndryshon ashpërsia”, dhe tani pacientët po u mbijetojnë infeksioneve që më herët do t’i mbyste, shkruan Mail Online, njofton Insajderi.
Dhe nëse procesi i dobësimit është i vërtetë, atëherë COVID-19 mund të zhduket edhe vetë, pa pasur nevojë fare për një vaksinë, potencon eksperti.
Sipas profesor Bassettit, arsyeja e dobësimit të virusit është mutacioni gjenetik i tij, që e bën shumë më pak fatal, edhe për arsye se tretmani i sëmundjes është përmirësuar.
“Ishte si një tigër agresiv në mars e prill, por tani më shumë po duket si një mace e egër. Madje edhe pacientët më në moshë, 80 apo 90 vjeç, po përmirësohen dhe po marrin ajër pa ndihmë të aparaturave. Të njëjtit do të vdisnin vetëm pak ditë më parë”, ka thënë ai.
Megjithatë, ka ekspertë të tjerë që e kanë kundërshtuar italianin, duke thënë se ende nuk ka prova shkencore se virusi po dobësohet./Insajderi.com