Ekspertiza: Mesazhet e këshilltarit të Limajt janë falsifikuar

Ekspertiza: Mesazhet e këshilltarit të Limajt janë falsifikuar

Disa mesazhe mes këshilltarit të Fatmir Limajt, Endrit Shala dhe biznesmenit Florim Zuka që janë prezantuar si fakte inkriminuese në rastin kundër Limajt që dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe krim të organizuar, janë vërtetuar të kenë qenë të falsifikuara.

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Kësisoj Gjykata e ka pranuar si provë materiale ekspertizën e “Cyber-Forensik” përkatësisht të  ekspertit Francisco Manuel dos Ramos Nunes, që ka gjetur se mesazhet të cilat janë pretenduar të jenë shkëmbyer mes Shalës dhe Zukës janë falsifikuar.

Kjo ekspertizë që është bërë me kërkesë nga mbrojtja e Shalës, konstaton se SMS-at ndërmjet Shalës dhe biznesmenit janë të falsifikuar nga një platformë specifike në fushën e komunikimeve por nuk është gjetur nëse këto falsifikime janë bërë nga Posta dhe Telekomi i Kosovës ose ndonjë platoformë tjetër.

Historia e këtyre SMS-ve ka zgjatur prej nisjes së hetimeve ndaj Limajt dhe të tjerëve të akuzuar në këtë rast, duke pretenduar se me këto mesazhe Shala dhe Zuka flasin për kurdisje të tenderëve të shumtë në Minsitrinë e Transportit.

Zuka si pronar i kompanisë “Tali” dhe Shala si këshilltarë i Limajt, sipas këtyre mesazheve që besoheshin se janë bërë në janar të vitit 2009, disa muaj para bastisjes së MTPT-së dhe për këto mesazhe ishte pyetur edhe Limaj.

E ky proces po vazhdon ende. Të enjtën, Fatmir Limaj ka hequr dorë nga dëshmitari që ishte planifikuar sot të dëshmojë në rastin MTPT.

Kjo ka thënë Limaj, për shkak të zhvillimeve të fundit ku kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it tha se misioni ka pasur për qëllim të dobësojë figura politike si Fatmir Limajn.

“Unë për 7 vite kam shpreh shqetësimin tim për akuzat ndaj meje. Kam thënë se këtu ka target politik dhe qëllim politik. Kjo është thënë edhe gjatë rrugës së këtij gjykimi. Deklarata e Simmonsit është e një nga personave më të rëndësishëm të misionit. Kjo është shokuese për mua. Prandaj për të vërtetuar këto pohime se hetimet nisen bazuar në qëllime politike, unë propozoj që zotëri Simmons të thirret dëshmitar në këtë rast”, ka thënë Limaj para gjykatës, raporton KTV.

Por, paneli e ka hedhur poshtë kërkesën.

“Trupi gjykues ka vendosur ta hedh poshtë kërkesën e mbrojtjes, bazuar në nenin 258 të KPPRK-së”, ka thënë Maria Tuma, kryetare e trupit gjykues.