“Ekziston baza ligjore për dënimin e të pandehurve” – Fjala hyrëse e prokurores Hajdari për rastin “Pronto”

“Ekziston baza ligjore për dënimin e të pandehurve” – Fjala hyrëse e prokurores Hajdari për rastin “Pronto”

Prokurorja e rastit “Pronto”, Drita Hajdari ka thënë sot gjatë fjalës hyrëse në Gjykatë se Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme për t’i shpallur fajtorë të pandehurit e rastit “Pronto”.

Prokurorja Hajdari ka deklaruar se të akuzuarit në rastin “Pronto” kufizuan të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës që konkuruan për vende të caktuara të punës. Ka thënë se të pandehurit u kujdesën që në pozita publike të punësohen njerëzit e tyre; ata që veprojnë sipas direktivave të tyre.

“Të pandehurit, si persona zyrtar, me veprimet e tyre të kundërligjshme, mohuan dhe i kufizuan të drejtat e të gjithë atyre qe konkuruan ne vende të caktuar te punës, dhe me telefonata u morën vesh për krijimin e privilegjeve dhe përparësive për personat mbi bazën personale apo përkatësin politike”, ka thënë prokurorja Hajdari në fjalën e saj hyrëse në Gjykatë. 

“Grupi ‘Pronto’ u kujdes që të punësohen vetëm ata që janë sipas qejfit të tyre dhe për të cilët janë të sigurtë se do të veprojnë sipas direktivave të tyre politike, në vende të rëndësishme pune, në vende nga interesi i lartë shoqëror, siç janë Bordet e drejtorëve të ndërmarrjeve publike, kryeshefat e agjencive e kështu me radhë”, ka thënë ajo.

Hajdari, që e përfaqëson këtë rast, ka thënë se të akuzuarit e rastit “Pronto” kanë krijuar sistem të pandeshkueshmërisë.

Ka përmendur rastin e lirimit të Salih Mekaj dhe të Emin Beqirit.

Të dy këto raste, Gjykata Supreme ka konstatuar se dy shkallët e gjykatës i kanë liruar të pafajshëm në mënyrë të jashtëligjshme.

“Se si duket e gjithë kjo gjendje në praktike, më së miri dëshmon rasti e fundit i Salih Mekaj dhe ai i Emin Beqirit, që të dyja rastet të shënjestruara në procesin e liberalizimit të vizave. Nëse dikush mendon se kështu do të na pranoj Evropa gabon”, ka thënë prokurorja Hajdari. “Evropa kërkon shtet ligjor. Jo shtet në te cilin triumfon padrejtësia dhe mburrja kur prokuroria e humb rastin në gjykatë”.

Hajdari në fjalën hyrëse ka thënë se “kanceri i papunësimit” përhapet çdo ditë e me shumë. Ajo ka folur për gjendjen ekonomike. Ka folur për stacionet e autobusëve të mbushur me punëtorë, për numrin e madh të të papunëve në Kosovë.

“Për deri sa, stacionet tona të autobusëve me vite janë plot me ata që largohen nga vendi, të dëshpëruar dhe pa shpresë që ndonjëherë do të punësohen në vendin e tyre, ata ikin në shtetet tjera ku kërkojnë punësim. Ne i pamë ato skenat dhe i shohim ato pothuajse çdo ditë”, është shprehur prokurorja.

“Kjo është skena jonë, mirëpo, ekziston edhe prapaskena, ana e errët e shoqërisë sonë e cila para publikut vepron e veshur me petkat e ligjit, ndërsa në prapaskenë vepron ndryshe, ata ushtrojnë ndikim për punësime, emërojnë njerëz politik dhe varësit politik në pozita të rëndësishme”. 

Të akuzuar në rastin “Pronto” janë ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti. /Insajderi.com