
Deputeti nga radhët e Inciativës së Re Demokratike të Kosovës(IRDK), Elbert Krasniqi i cili i takon komunitetit egjiptian, është i vetmi deputet nga radhët e komuniteteve që mbrëmë votoi kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.
Krasniqi i cili ishte pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një statusi në Facebook ka thënë se vota e tij ishte në mbrojtje të parimeve njerëzore dhe politike, edhe pse ishte i vetdijshëm që ajo nuk ndikon në rezultat.
“Si deputet i Kuvendit të Kosovës, votova në mbështetje të Qeverisë, i vetdijshëm që nuk ndikoj në rezultat, por në mbrojtje të parimeve të mia njerëzore dhe politike. Fundja unë i lirë vendosë për votën time, jo adresa tjera! Kjo nuk vlen për krejt deputetet përfaqësues të komuniteteve në Kuvend”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.
Ndryshe, mbrëmë është rrëzuar qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, pas vetëm 50 ditëve të themelimit të kësaj qeverie.
Për mocionin e iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, votuan 85 deputetë për, 32 kundër dhe 1 abstenim. Në sallë kanë qenë 117 deputetë./Insajderi.com