Ish-prokurori Elez Blakaj ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i ka shpallur të pafajshëm 11 të akuzuarit në rastin e “Veteranëve”. Sipas Elezajt, ky vendim ishte i pritshëm, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, ai u shpreh se në lidhje me këtë rast as nuk janë parë e as dëgjuar as një përqind të provave materiale.
“Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe, madje do të ishte naivitet po të prisja ndonje një vendim tjetër.
Edhe një mundësi e humbur për t’ia kthyer dinjitetin veteranit të UÇK-së, pas një procesi të degraduar nga lakmiqar dhe tregtar votash, duke tentuar të mbahët peng e vërteta të cilën qytetari e din shumë mirë!”, ka shkruar ai.
Elezaj ka thënë se në këtë rast ka pasur prova të qarta e bindëse për fajësinë e të pandehurve.
“Të nderuar qytetarë, miq e ju gazetarë të shumtë që keni shkruar, ky është një rast klasik me prova të qarta, bindëse, të rregullta e të paranueshme dhe me vëllimin më të madh të paraqitur ndonjëherë, të cilat saktë e provojnë veprën penale dhe fajësinë e të pandehurve të përfshirë në këtë rast, pavarsisht përpjekjeve dhe ndihmës qe me improvizime të “pastrohen” nga kjo përgjegjësi, ani pse kundërmimi nga era e krimit u vie nga kilometra larg!
Si është e mundur që asnjë provë materiale e këtij rasti, e në veçanti asnjë audio-inçizim nuk rrjedhi në publik, në ndonjë portal apo gazetë, ashtu siç bënin në fillim të këtij procesi me fabrikimin dhe publikimin e listave, emrave e të dhënave personale, duke nxitur urrejtje të skajshme në adresën time për hetimin e këtij rastit, me qëllim që përgjegjësit të “amnestohen” dhe fshihën nga kjo përgjegjësi! Pse nuk ka asnjë rezultat për hetimin e atyre të cilët kanë orkestruar, ndihmuar, dhe publikuar kundërligjshëm te dhënat personale të mijëra personave, të cilët sot janë të rrezikuar sa herë që udhëtojnë në vendet fqinje! E po kjo për ironi ta kujton atë shprehjen e famshme “Nëse ke prova dërgoj në Prokurori”!!!”, ka shtuar Blakaj.
Të martën, 12 të akuzuarit, ish-anëtarë të Komisionit për verifikim të veteranëve për “fryrje të listave” u shpallën pafajshëm. Të akuzuar ishin: ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari./Insajderi.com
Ashtu siç pritej edhe ndodhi!
Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke…
Posted by Elez Blakaj on Tuesday, January 19, 2021