Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar se ky komision ka ndërmarrë dy hapa të mëdhenj në drejtim të pastrimit të listës së votuesve, transmeton Insajderi.
I ftuar në emisionin “Info Magazinë” në Klan Kosova, Elezi thotë se në listat e reja që do të përgatiten për ditën e zgjedhjeve, nuk do të jenë emrat e mbi 11 mijë personave që figurojnë si të vdekur.
“KQZ ka bërë një punë të madhe në drejtim të pastrimit të listës së votuesve. Sot KQZ ka marrë dy vendime dhe besoj që këto do të ndihmojnë në pastrimin e listës së votuesve – 11,086 persona figurojnë si të vdekur”, ka thënë ai.
“Në këtë drejtim KQZ ka marrë vendim që këta persona të hiqen nga lista – nuk do të dalin emrat e tyre në listën që do të shpërndahet më 14 shkurt”.
“Kemi edhe vendimin tjetër. Dihet që në ditën e zgjedhjeve, një votues mund të identifikohet me njërin nga katër pajisjet e identifikimit. KQZ po ashtu ka mësuar se janë 122,592 persona që kanë dokumente te identifikimit të UNMIK-ut. Këta persona po ashtu do të largohen nga lista votuese sepse dokumentet e UNMIK-ut nuk kanë më validitet”, bën të ditur tutje Elezi. /Insajderi.com