Elezi: Verifikimi i pakove me vota nga diaspora merr kohë disa ditë

Elezi: Verifikimi i pakove me vota nga diaspora merr kohë disa ditë

Verifikimi i pakove me të supozuara me fetëvotime të ardhura me postë do të marrë kohë disa ditë, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi.

Ai ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, Shërbimi Votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po vazhdon të bëjë vlerësimin dhe selektimin e këtyre pakove.

Në fund të këtij procesi, Elezi ka shtuar se do të dihet saktë numri i fletëvotimeve që kanë ardhur nga jashtë vendit.

“Në QNR, Shërbimi Votues i KQZ-së po bën vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt”, ka theksuar ai.

Elezi ka deklaruar se këto pako duhet të verifikohen nëse u takojnë votuesve që janë regjistruar si të suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot plotësojnë kriteret ligjore.

“Ky proces ka për qëllim të verifikojë nëse pakot në fjalë janë dërguar nga votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot e dërguara plotësojnë kriteret ligjore. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, i cili do të na marrë kohë disa ditë, do të dijmë se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit”, është shprehur ai për Telegrafin.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur ditën e diel, ndërkohë KQZ ka bërë numërimin e votave të rregullt, kurse brenda pak ditësh fillon numërimi i votave nga diaspora dhe atyre me kusht./Insajderi.com