Eliminimi i notimit numerik mund të ulë interesimin e nxënësve për mësimnxënie

Eliminimi i notimit numerik mund të ulë interesimin e nxënësve për mësimnxënie

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, thotë se në shpeshherë në Kosovë plasohen idetë pa u analizuar mirë.

Fjalën e ka për eliminimin e vlerësimit diferencial për shkollimin fillor, për çka thotë se eliminimi i notimit numerik në një anë heq barrën tek nxënësit, por nga ana tjetër humb interesimin për të mësuar.

“E keqja më e madhe në arsim është se shtrohen idetë pa u analizuar mirë me të gjitha palët po tentohet të hyhet në funksion. Mbase ekspertët e lëmisë duhet të shikojnë se cili do të jetë efekti pozitiv, por a ka edhe efekte negative. Mbase edhe do të jetë një heqje e barrës te nxënësit presioni i notave, mirëpo kam frikën se sidomos në klasën 4 dhe 5 nxënësit do ndihen shumë komod dhe do të mësojnë më pak duke e ditur se nuk do të jenë të vlerësuar me nota numerike. Do të ishte mirë që instituti pedagogjik dhe ekspertët e tjerë të merren me këtë çështje”, ka thënë ai për EO.

“Edhe në vendet tjera është provuar edhe me notimin pa nota numerike me fjalët që kanë qenë edhe në të kaluarën në një pjesë të lëndëve që i kanë konsideruar si të dyta, mirëpo ajo që është parë në të kaluarën se kur nuk ka nota numerike edhe nxënësi e merr lëndën si jo shumë të rëndësishme. Pra a do të ishte mirë të kemi një angazhim të tillë unë mendoj se duhet analizuar shumë mirë nga ekspertët t’i krahasojnë arritjet por edhe defektet që janë krijuar e pastaj të shkohet me një risi të tillë. E keqja më e madhe është se në arsim bëhen eksperimente të shumta e tek pastaj shihen pasojat dhe tërhiqen edhe ministria”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja thotë se për këtë nevojitet debat i gjerë i komuniteti të mësimdhënësve dhe nxënësve për të parë përparësitë dhe mangësitë e një vendimi eventual.

“Eliminimi i vlerësimit diferencial për shkollimin fillor paraqet një reformë goxha të thellë që ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe në kornizën tonë kurrikulare dhe si i tille për shkak që është i kësaj rëndësie vlerësojmë që para çfarëdo vendimi nevojitet një debat shumë më i gjerë në veçanti me komunitetin e mësimdhënësve dhe nxënësve për t’u parë përparësitë dhe mangësitë e një vendimi të tillë eventual. Dhe vetëm atëherë vlerësoj që mund të mendohet një reformë e tillë”, shtoi Qehaja.

Ministrja e Arsimi, Arbërie Nagavci, para disa ditëve kishte paralajamëruar për heqjen e notimit për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, duke thënë se përveç që humb energji mësimdhënësi për notim edhe vetë notimi shpesh është joreal. /Insajderi.com