Eliminimi i përfaqësueses së futbollit të Shqipërisë, në fazën e grupeve, në Kampionatin evropian të futbollit “Euro 2016”, që aktualisht po vazhdon të mbahet në Francë, i ka zbehur emocionet e dashamirëve të futbollit në Kosovë, me të cilat kishin filluar ta përcjellin këtë kampionat, thonë disa të rinj në Prishtinë.
Në rubrikën e përjavshme për të rinj “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se pas eliminimit të përfaqësueses së Shqipërisë nga ky kampionat, kampionati përcillet, por jo me emocionet që ishin në fillim.
Aktualisht, kampionati po zhvillohet në fazën 16 ekipeve të kualifikuara pas përballjeve në grupe.
Ardit Hyseni, student i Menaxhimit të biznesit në Kolegjin universitar “UBT” në Prishtinë, thotë se i përcjellë gati se të gjitha takimet e kampionatit “Euro 2016”. Eliminimi i përfaqësueses së Shqipërisë, ka qenë i dhimbshëm për të, por edhe i pritshëm.
“Djemtë e kombëtares kanë dhënë shumë dhe na kanë bërë krenarë aq sa kanë mundur. Duke i shikuar aftësitë e Francës dhe Zvicrës ( në grup me Shqipërinë), e kam ditur se do të jetë shumë i vështirë kalimi për 16 më të mirat”.
“Por, do të vazhdoj ta përcjell kampionatin, sepse është vërtet shumë konkurrues. Në krahasim me kampionatet tjera, është një ndër më kompetitivët. Favorit i kam Italinë dhe Francën. Sidomos Franca është shumë e fortë dhe ma merr mendja që asgjë nuk ka dhënë në fazën e grupeve çfarë do të japë më tutje”, shprehet Arditi.
Drilon Matoshi, student i Shkencave kompjuterike në Kolegjin universitar “Iliria” në Prishtinë, thotë se është i dëshpëruar me largimin e Shqipërisë nga “Euro 2016”, por nuk është i zhgënjyer me lojën e përfaqësueses së saj.
“Por, megjithatë, është arritje shumë e madhe për Shqipërinë. Jemi krenuar të gjithë me ‘njëmbëdhjetëshen’ tonë, jo vetëm Kosova dhe Shqipëria, por i gjithë kombi shqiptar. Do të vazhdoj ta shikojkampionatin, sepse është kampionat evropian. Sa i përket Gjermanisë, favoritit tim, nuk jam i sigurt se do të bëhet kampion evropian. Italia është shumë e fortë sivjet dhe po luan shumë mirë, e po ashtu edhe Spanja. Në finale, ma merr mendja se do të jetë Italia. Kush do të jetë tjetër, nuk di, por po shpresoj të jetë edhe Gjermania”, thotë Driloni.
Etnik Maloku thotë se edhe pas eliminimit të Shqipërisë nga “Euro 2016”, vazhdon ta përcjellë këtë kampionat, por jo me emocione të njëjta:
“Gjithsesi që emocionet kanë ndryshuar, për arsye se ekipi i zemrës, Shqipëria, është eliminuar. Por, prapë vazhdoj ta shoh kampionatin dhe ekipi më favorit, i cili do të fitojë, mendoj se do të jetë Gjermania. Si në botëror, po ashtu edhe në kampionate evropiane, gjithmonë vërehet dominimi i tyre. Edhe Anglia është një ekip mjaft i fortë, por mendoj se Gjermania prapë do të jetë fituese”.
Miranda Kajtazi, një e re nga Prishtina, tregon se i ka shikuar shumicën e takimeve të deritashme të Kampionatit “Euro 2016”. Por, siç thotë ajo, tashmë e ka interesimin më të zbehur për pjesën e mbetur të kampionatit.
“Tash e shikoj, por jo me emocione. Më herët e kam shikuar më me emocion. Ka qenë më interesant që të përcillet ecuria e kombëtares së Shqipërisë. Më ka pëlqyer, mbase pse është hera e parë dhe kanë bërë një përfaqësim të jashtëzakonshëm, por këtu duhet të falënderohen edhe tifozët që kanë bërë një punë shumë të mirë”.
“Më falni që i jap konotacion politik, por nuk i përkrah kombëtaret e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. I përkrah kombëtaret, cilado që është nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Do të ishte e përkryer nëse fiton Italia”, thekson Miranda.
Edhe Drilon Buleshkaj thotë se dalja e Shqipërisë nga “Euro 2016”, për tifozët e saj e ka zbehur këtë kampionat.
“Sigurisht që nuk mund të jetë i njëjti emocion. Por, mund të them se kombëtarja na ka lënë përshtypje pozitive. Tash, nuk kanë mbetur edhe shumë ndeshje, por ndeshjet e çerekfinales dhe gjysmëfinales nuk janë për t’u humbur. Nuk e di saktë se si janë në renditjen e grupeve, por mendoj se në finale mund të jetë Gjermania apo Spanja”, pohon Driloni.
Shpëtim Ferati, i cili tash i ka përfunduar studimet për Menaxhment dhe informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, thotë se “Euro 2016”, kishte nisur me shumë emocione për secilin tifoz të kombëtares së Shqipërisë.
“Jemi dëshpëruar pak, por jemi shumë krenar për ta, sepse kanë luajtur mirë dhe kanë bërë një paraqitje të denjë. Normalisht, ne kemi bërë një tifozllëk shumë të mirë. Ende jam në rrjedha të futbollit dhe kam qejf ta përcjell kampionatin. Janë katër ose pesë ekipe shumë të forta, si Polonia, Kroacia, Gjermani dhe Spanja. Mendoj se këto janë pak më të dalluara se tjerat”, shprehet Shpëtimi.
Në fazën aktuale, ndeshjet për kualifikime të mëtutjeshme, janë duke i zhvilluar 16 përfaqësuese. Më pas, garën e vazhdojnë vetëm ekipet fituese. Finalja e “Euro 2016”, zhvillohet më 10 korrik.