Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Elmi Reçica ka bërë fushatë me të dënuarin për zhvatje në rastin “Zharku”, Nusret Cena.
Në një fushatë që ish-deputeti i PDK-së, Elmi Reçica e zhvilloi në fshatin Doganaj të Kaçanikut, ai është parë për krah një njeriu të përfshirë në aktivitete kriminale. Ai është Nusret Cena, i dënuar për zhvatje në rastin “Zharku”.
Cena, nga Kaçaniku, ishte dënuar për 1 vjet e një muaj burgim. Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Cenën fajtor për kryerjen e veprës penale të zhvatjes dhe posedimit të paligjshëm të armës.
Bashkë me të ishte dënuar edhe ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Xharku, i cili më pas ishte arratisur për në Suedi, ku jeton ende si i arratisur. Zharku ishte kryetar i komunës, që vinte nga radhët e PDK-së.
Nusret Cena, i cili është parë para disa ditësh në fushatën e PDK-së në Kaçanik – përkrah Elmi Reçicës, ka qenë i përfshirë edhe në shpërthimin që ndodhi në lokalin “Sekiraqa” në vitin 2007, Prishtinë. Ai ka qenë i dyshuar për shpërthimin në këtë lokal, por në vitin 2013 ishte liruar nga akuzat.
Nga shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” më 27 shtator 2007 qenë vrarë dy persona, Naim Murati dhe Pleurat Sllamniku, dhe plagosur 11 të tjerë.
Sikur të mos mjaftonte dënimi me burgim për zhvatje, dhe ngritja e aktakuzës për një kohë në rastin “Sekiraqa”, Cena ka pasur të ngritur një aktakuzë tjetër për përfshirje në vrasjen e tre personave në Kacanik: Urim Baftiut (16 vjeç), Sylejman Baftiut (17) dhe Neshat Baftiut (28).
Dy burra, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, që të dy ish oficerë të forcave speciale policore të Kosovës, ishin dënuan për vrasjet. Gjithsesi i dyshuari i tretë në vrasjen e trefishtë të familjes Baftiu, ishte Nusret Cena. Ai doli i pafajshëm në këtë rast.
Elmi Reçica ka qenë kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës dhe tani është kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). /Insajderi.com