
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka mirëpritur zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, duke thënë se kjo ndihmon procesin e liberalizimit të vizave.
“Funksionalizimi i këtij organi ka qenë një nga rekomandimet e fundit që Kosova është dashur t’i përmbushë në kuadër të këtij procesi. Kjo padyshim do të kontribuoj që dialogu për liberalizim të vizave me Komisionin Evropian të përmbyllet së shpejti”, ka thënë Çollaku.
Megjithatë, Ministri Çollaku ka thënë se nuk mund të japë ndonjë datë se kur pritet të ndodhë liberalizimi i vizave.
“Siç kam thënë edhe më herët, ne nuk mund të japim një datë të saktë gjersa ky proces nuk varet vetëm nga ne, por mund të them se duke u bazuar në arritjet që janë bërë ne jemi të gatshëm dhe shumë afër”, ka shkruar ai në Facebook.
Sot, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Blerim Dinën si kryetar të OShP-së./Insajderi.com