“Emërimi i Hovenier ambasador është mesazh i fuqishëm i Presidentit Biden për Kosovën”

“Emërimi i Hovenier ambasador është mesazh i fuqishëm i Presidentit Biden për Kosovën”

Emërimi i Jeffrey Hovenier ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, sipas ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është mesazh i fuqishëm i presidentit amerikan, Joe Biden për kosovarët.

Siç ka thënë ajo, Hovenier është njohës dhe mik i dëshmuar i Kosovës.

Këto deklarata i ka bërë të hënën, pas takimit që ka zhvilluar me ambasadorin e ri amerikan.

“Sot pata kënaqësinë dhe privilegjin e madh t’i shpreh mirëseardhjen në ditën e tij të parë zyrtare si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Gërvalla në profilin e saj në Facebook.

“Ambasadori Hovenier ka një përvojë të pasur në rajonin tonë. Si pjesë e delegacionit amerikan në Rambuje, Ambasadori Hovenier i përket asaj plejade të politikanëve dhe diplomatëve amerikanë, të cilët në orët më të vështira ndihmuan në shpëtimin e Kosovës dhe trasimin e lirisë dhe pavarësisë së saj. Kurrë nuk do ta harrojmë këtë kontribut, ashtu si edhe Amerika nuk na harroi asnjëherë”.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden emëroi Hovenier në korrik dhe ai u konfirmua unanimisht nga Senati i ShBA-së më 18 nëntor 2021.

Honevier është pasardhës i ambasadorit Philip Kosnett ku ky i fundit ka qenë ambasador në Kosovë që nga 27 nëntori i vitit 2018.

Kush është Jeff Hovenier?
Jeff Hovenier ka diplomuar në vendlindje ndërsa karrierën tash e tri dekada e ka fokusuar në çështjet e sigurisë.
Hovenier ka luajtur rol në negociatat që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendës shef i misionit në Ambasadën e ShBA-së në Ankara, Turqi.

Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguaj, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.

Ai flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë disa nga qeveria e Republikës së Kosovës./Insajderi.com