Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në takim ambasadoren jo-rezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila Abdelaziz Alshamsi, njofton Insajderi.
Siç njoftojnë nga Zyra e Kryeministrit, Hoti e ka falënderuar ambasadoren Alshamsi për ndihmën e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë ofruar Republikës së Kosovës në të gjitha etapat e shtet ndërtimit.
Kryeministri Hoti ka shprehur përkushtimin dhe gatishmërinë e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë, në veçanti thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe promovimin e investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Republikën e Kosovës.
Hoti dhe ambasadorja Alshamsi janë pajtuar se Kosova ka shumë potencial për zhvillim që duhet mbështetur e promovuar./Insajderi.com