Emisari britanik, Stuart Peach vjen sot në Kosovë

Emisari britanik, Stuart Peach vjen sot në Kosovë

I dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, arrin të mërkurën në Prishtinë pas një vizite dyditore në Beograd.

Peach pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të shtetit dhe kjo do të jetë vizita e tij e parë zyrtare në Kosovë si i dërguar për Ballkanin Perëndimor, që nga marrja e detyrës në fund të vitit të kaluar.

Sipas mediumit serb “KoSSev”, ai do të qëndrojë në Prishtinë për të paktën dy ditë, transmeton Shqip.com.

Peach më parë është takuar në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe drejtorin e të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Tema e bisedës ishte situata e përgjithshme në rajon, por edhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Vizita e emisarit britanik në Beograd dhe Prishtinë pason menjëherë pas vizitës së të dërguarve specialë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.

Dyshja euro-amerikane kaluan tri ditë në Prishtinë javën e kaluar dhe po aq në Beograd.

Të njëjtit bënë thirrje për vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatim të marrëveshjeve të arritura./Insajderi.com