Ende nuk ka nisur ndërtimi i Qendrës për personat me Sindromën Down e Autizëm

Ende nuk ka nisur ndërtimi i Qendrës për personat me Sindromën Down e Autizëm

Ndërtimi i Qendrës për personat me Sindromën Down dhe Autizëm, nuk ka nisur ende ani pse për të ka kohë që është ndarë lokacioni.

Kosovare Bunjaku nga Shoqata “Down Syndrome Kosova”, ka thënë se kjo shoqata ende nuk ka dal as në hapësirat që i’u dhanë për shfrytëzim.

“Sa i përket ndërtimit të objektit, marrëveshja është bërë, por ende nuk kanë filluar punimet. Ne akoma s’kemi dalë as në hapësirat që na janë dhënë për shfrytëzim të përkohshëm, për shkak të disa renovimeve që janë duke u bërë. Por, pritet me dal në këto hapësira të reja ndoshta brenda dy javësh apo edhe një muaji”, tha Bunjaku.

Binjaku tha se hapësirat të cilat i posedojnë tani, janë shumë të vogla dhe po paraqesin shumë vështirësi në punë.

“Është nevojë shumë e madhe e qendrës tonë, që të kemi një hapësirë më të madhe, marrë parasysh numrin e madh të anëtarëve. Vështirësi kemi veçanërisht në kuadër të programit të punës me të rritur, ku kemi shumë punëtori, na duhet që dy a tre punëtori me i realizu brenda një hapësire shumë të vogël”,  ka thënë Bunjaku për Radio Kosovën.

Në komunën e Prishtinës thonë se së shpejti do të nisin punimet.

Miranda  Mullafazliu, zëdhënëse e komunës, duke mos dhënë asnjë datë konkrete për ndërtimin e kësaj qendre, tha se shpejt nis ndërtimi.

“Shumë shpejt do të filloj ndërtimi i objektit”, tha ajo.

Janë gjithsej 150 persona të cilat janë anëtarësuar në Shoqatën “Down Syndrome Kosova”, në Prishtinë.  Përfshirë 55 prej tyre që  marrin shërbime në programin e të rriturve dhe atë të fëmijëve.
Përveç kësaj në listë të pritjes për inkuadrim në shërbime terapeutike, janë edhe 15 fëmijë.