Sot janë bërë nëntë muaj që nga vrasja e liderit të SDPS-së, Oliver Ivanoviq.
Politikani serb, Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar të këtij viti në hyrje të zyrës së partisë së tij, në Mitrovicën veriore.
Që nga atëherë me këtë rast është duke u marrë Prokuroria Speciale e Kosovës. Po ashtu, me hetime rreth kësaj vrasjeje po merren edhe institucionet e drejtësisë në Serbi.
Ditë më parë pala serbe është ankuar se EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës nuk janë duke shkëmbyer informacione me Prokurorinë për Krim të Organizuar në Serbi.
Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq ka thënë se të gjitha këto organe nuk po i japin asnjë ose po i minimizojnë të dhënat ndaj Prokurorisë serbe për Krimin e Organizuar, prokurori kjo e cila sipas Stefanoviqit është përgjegjëse për kryerjen e hetimeve.
Ndërsa, prokurori Special, Sylë Hoxha sot i ka thënë lajmi.net se është pala serbe ajo që nuk po shprehet e gatshme për bashkëpunim.
“Pala serbe nuk po shprehet e gatshme për bashkëpunim, dhe nuk kanë shkëmbyer informacione”, ka deklaruar Hoxha.
Ai ka shtuar se hetimet për rastin janë duke vazhduar ndërsa ende nuk ka asnjë person të dyshuar.
Shqetësime për mos zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit janë shprehur edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Gjatë muajit gusht në raportin tremujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres iu është bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të intensifikojnë hetimet e tyre dhe të përdorin të gjitha kanalet e mundshme që do t’u ndihmonin në zbardhjen e këtij rasti.