Kur të gjithë po prisnin një marrëveshje ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës – ata edhe sonte u dakorduan vetëm që të takohen sërish nesër…
![‘Ëndrra’ e pafund Kurti-Mustafa – a do të ‘zgjohen’ përfundimisht nesër?](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2019/12/auto_Isa_Mustafa-Albin_Kurti-takimi_per_koalicion_per_formimin_e_Qeverise-28_nentor_2019t-Laura_Hasani1575874348-730x440.jpg)
Edhe takimi i sontëm ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës ka përfunduar pa marrëveshje për bashkëqeverisje.
Kështu pa ndonjë marrëveshje finale kanë përfunduar edhe krejt takimet paraprake ndërmjet Kurtit dhe Mustafës, shkruan Insajderi.
Dyshja takimet i kishin nisur më shumë entuziazëm – besonin se “koalicioni i shpresës” shumë shpejt do të ndodhte.
Por ku ngeci marrëveshja për bashkëqeverisje?
Duket se takimi i fillimit të dhjetorit ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës “përçau” Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Dy partitë që tash e një kohë po tentojnë bashkimin në pozitë, atë ditë nuk arritën të dakordoheshin kur erdhi puna te ndarja e posteve.
Pikërisht në atë moment – nisi saga VV-LDK – që tash e sa kohë s’ka fund.
Isa Mustafa, pasi që zgjodhi i pari ministrinë e Punëve të Brendshme, e vuri si kusht edhe pozitën e të parit të shtetit, shkruan Insajderi.
Derisa edhe takimi i sontëm rezultoi pa marrëveshje, VV e LDK ende nuk kanë vendosur se cila do të tërhiqet nga kushtet që dhanë për të finalizuar marrëveshjen, shkruan Insajderi.
Nëpër deklarata u bë shumë e qartë se Vetëvendosje s’e jep postin e presidentit si pjesë të pazarit, dhe se LDK-ja nuk shkon në qeveri me Kurtin pa u marrë vesh për këtë post.
Përçarja u thellua edhe më shumë, kur për postin e kryeparlamentarit u nominua Glauk Konjufca, i cili më pas mori edhe votat e duhura për këtë post, nominim ky që ndodhi pa dijeninë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Po pa dijeninë e Isa Mustafës, Albin Kurti përmes një video bëri të ditur edhe emrat e ministrave nga partia e tij.
Kreu i LDK-së në anën tjetër mblodhi kryesinë e partisë duke shprehur kështu edhe një herë gatishmёrinё qё t’i vijojё bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kështu edhe ndodhi – Kurti e Mustafa u takuan sonte ku diskutuan mbi tri orë – pavarësisht takimit të gjatë dy partitë janë pajtuar që të takohen sërish nesër, bile pa e bërë të ditur as orën, shkruan Insajderi.
Mbetet të shihet nëse Kurti dhe Mustafa gjatë ditëve të ardhshme do të pajtohen për të bërë bashkë “hapin e madh”.
Por, para takimeve kokë më kokë Kurti-Mustafa, ja çka u diskutua në gjashtë takimet mes grupeve punues të VV-së e LDK-së?
Grupet Punues të të dyja partive u formuan menjëherë pas rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të datës 6 tetor. Qëllimi i tyre ishte harmonizimi i programit qeverisës dhe detaje tjera rreth bashkëpunimit.
Fillimisht u takuan Albin Kurti e Isa Mustafa së bashku me kandidaten për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani. U pajtuan sa i përket zvogëlimit të numrit të ministrive dhe përfshirjes së grave në qeverisje.
E pas këtij takimi pasun takimet mes grupeve punuese.
Takimi i parë është ai i datës 18 tetor i cili u mbajt në selinë e LDK-së. Nga Lëvizja Vetëvendosje morrën pjesë Besnik Bisilimi dhe Glauk Konjufca teksa nga LDK-së, ishin Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku dhe Avdullah Hoti. Në këtë takim u disktua për harmonizim e programeve të paralajmëruar pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit. Zgjati 2 orë, dhe më pas u bë e ditur se dy grupet janë dakorduar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes.
Ky ishte takimi i parë, pas takimit mes liderëve të partive.
Pesë ditë pas takimit të parë u mbajt edhe takimi i dytë. Takimi i dytë u mbajt me 23 tetor kësaj radhe në selinë e Vetëvendosjes. Dy grupet punues kishin diskutuar rreth formatit qeverisës, zhvillimit ekonomik , arsimit, shëndetësisë, rendit dhe ligjit dhe politikës së jashtme. Si VV ashtu edhe LDK u pajtuan që numri i ministrive të jetë 12, dhe për çdo ministri të jenë nga dy zëvendësministra.
Harmonizimi i programit qeverisës për zhvillimin ekonomik , ishte tema e diskutimit në takimin e tretë që u mbajt me 28 tetor mes grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës.Takimi zgjati afro 3 orë dhe u mbajt në selinë e LDK-së. U tha se dy grupet janë dakorduar rreth 90 për qind për programin ekonomik. Siç u dakorduan edhe për vendtakimet e tyre.
Pas takimit të tretë që u mbajt në selinë e LDK-së, i katërti u mbajt në Vetëvendosje me 31 tetor. Nga LDK po merrni pjesë Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Arben Gashi e Armend Zemaj ndërsa nga “nikoqirët” të pranishëm ishin Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu, Sami Kurteshi e Blerim Sallahu. Tema e diskutimit ishte sistemi i drejtësisë dhe sundimi i ligjit. Pas takimit nga të dyja partitë tha se ka pajtueshmëri sa i përket çështjes së drejtësisë.
Temë diskutimi në takimin e pestë që u mbajt me 4 nëntor ishte çështja e arsimit, shkencës dhe kulturës. Në takimin morën pjesë, Lutfi Haziri, Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Xhavit Rexhaj dhe Izet Sadiku nga LDK, ndërsa nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca, Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu, Arben Vitia, Abërie Nagavci edhe Jusuf Ulaj. Ky takim madje rezultoi si më i suksesshmi, ishte takimi që pati më së shumti pajtueshmëri. Kështu deklaruan nga Vetëvendosje pas takimit. Madje u shprehën se ky takim është zhvilluar në një atmosferë të thellë të bashkëpunimit.
E takimi i fundit apo i gjashti i mbajtur me 7 nëntor mes grupeve punues të Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës pati qëllim përmbylljen e të gjitha çështjeve programore, dhe se në mënyrë të draftuar marrëveshja do të iu dorëzohet dy kryetarëve të partive Albin Kurtit e Isa Mustafës.
Pasi përfunduan takimet mes grupeve punuese të të dyjave partive, me 22 nëntor ditë e premte, u mbajte edhe një takim mes kryetarëve të partive. Përkundër që takimet mes grupeve punuese mbaheshin nëpër seli të partive, takimi i dy kryetarëve u mbajt në njërin nga hotelet në Prishtinë. Takimi zgjati 1 orë. Kurti e Mustafa para mediave deklaruar se në takim kanë biseduar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, teksa shtuan se marrëveshja mes dy partive do të arrihet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës./Insajderi.com