Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj presidentit të dorëhequr, Hashim Thaçi, dhe disa ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Insajderi.
Engel thotë se Thaçi tregoi respekt për sundimin e ligjit me dorëheqjen nga posti i presidentit për t’u ballafaquar me akuzat e Speciales, ndërsa shtoi se Kongresi do ta monitorojë nga afër Gjykatën Speciale për të siguruar se ajo siguron sundim të ligjit dhe të drejtat e të akuzuarit në çdo rast.
Ai përmes një deklarate për media, ka shprehur shqetësimin mbi mandatin e Speciales. Sipas tij, statuti mbi të cilin është ngritur ajo nuk e limiton gjykimin në vetëm të shqiptarëve.
“Statusi që ka krijuar Gjykatën Speciale, nuk e ka kufizuar atë që të merret vetëm me shqiptarët. Ligji thotë se juridiksioni i gjykatës është për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë gjatë një kohe të caktuar në periudhën e luftës. Fatkeqësisht, kjo gjykatë duhet se vepron si një gjykatë etnike – që ndjek vetëm shqiptarë që pretendohet se kanë kryer krime”, tha Engel.
Ai ka përmendur edhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi, për të cilët thotë se “nuk kanë gjetur drejtësi, edhe pse kryesit janë identifikuar dhe jetojnë në Serbi”.
Engel i ka bërë thirrje Departamentit të shtetit të SHBA-së dhe Departamentit të Drejtësisë që të verifikojnë punën e Gjykatës Speciale për të siguruar se nuk po targeton vetëm njerëz në bazë të përkatësisë së tyre etnike dhe të ndalojë bashkëpunimin ose mbështetjen e SHBA-së me Gjykatën, nëse vërtetohet se po e bën një gjë të tillë. /Insajderi.com