Kosova është bërë temë në disa raste në fushatën zgjedhore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Derisa presidenti Donald Trump e ka përmendur në disa raste duke dashur të tregojë aftësitë e tij në politikën e jashtme, tash pjesë e diskutimit për Kosovën është bërë edhe Eliot Engel. Kongresisti amerikan ia ka kujtuar Trump-it se lufta në Kosovë ka përfunduar prej kohësh dhe asaj i dha fund një tjetër president amerikan – një demokrat.

Deklarimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ai i dha fund luftës në mes të shqiptarëve e serbëve, i është kundërpërgjigjur kongresisti demokrat dhe udhëheqësi i Komitetit për Punët të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, njofton Insajderi.
Trump në një tubim në shtetin e Nebraskas, përmendi marrëveshjen e 4 shtatorit të arritur me Kosovën e Serbinë dhe tha se i ka dhënë fund “luftës 400 vjeçare mes dy vendeve”.
Kjo nuk ishte hera e parë që Trump përmendi në këtë kontekst Kosovën.
Por, tani atij i ka reaguar demokrati Engel, duke ia kujtuar se lufta në Kosovë ka përfunduar vite më parë.
“I dashur president, Donald Trump, lufta e Kosovës ka përfunduar para dy dekadash, në vitin 1999. Nuk i dhatë fund ju. Asaj i dhanë fund presidenti Bill Clinton dhe NATO. I juaji sinqerisht”, shkruan Engel në llogarinë e tij në Twitter./Insajderi.com