Engel: ShBA të ndryshojë qëndrim rreth formimit të ushtrisë së Kosovës

Engel: ShBA të ndryshojë qëndrim rreth formimit të ushtrisë së Kosovës

Kongresisti amerikan Eliot Engel ka thënë se qëndrimi amerikan se formimi i ushtrisë së Kosovës në këtë kohë nuk është i nevojshëm, është qëndrim absurd dhe duhet ndryshuar sa më shpejtë.

“Ne bëmë të qartë se nuk e mbështesim krijimin e Ushtrisë së Kosovës në këtë kohë. Kjo është absolutisht absurde dhe është një qëndrim qe ne duhet ta ndryshojmë shpejt”, tha Engel gjatë fjalimit të tij në Kongres.

Ai ka thënë se Kosova tash e nëntë vjet është shtet pa ushtri.

“Nëntë vjet me radhë, si një vend i lirë dhe i pavarur, Kosova ende nuk ka ushtri. Kjo është një e drejtë sovrane, mirëpo ky është komb-shtet pa ushtri. Kosova ka një Forcë të Sigurisë të armatosur lehtë, derisa ushtria ruse po e pajisë vendin e saj fqinj”, ka shtuar Engel, transmeton telegrafi.

“Ajo do të jetë në partneritet me vendet perëndimore dhe NATO-n në ndjekje të stabilitetit më të madh rajonal dhe ndërkombëtar”, u shpreh Engel, duke theksuar se Ushtria e Kosovës do jetë mbrojtëse e jo kërcënuese për fqinjët.

Engel më pas ka përmendur edhe armatosjen e Serbisë me mbështetjen e plotë nga rusët.

“Ajo është duke marrë tanke të tipit T-72, luftarake MIG-29 dhe sistemet ajrore raketore S-300”, theksoi Engel.

Kongresisti shoti se marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën janë të forta dhe se e ardhmja është e ndritshme.

“Unë do t’u thosha popullit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës: Shtetet e Bashkuara qëndrojnë dhe do të qëndrojmë gjithmonë me ju”, u shpreh Engel, duke dërguar edhe një mesazh për Serbinë ku e porosit që t’i ndalë lëvizjet e saj kundër Kosovës.