Ish-kongresmeni amerikan, Eliot Engel, ka përshëndetur mision e parë paqeruajtës të Forcave të Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Twitter, Engel ka uruar Kosovën për dërgimin e trupave për herën e parë jashtë vendit.
“Urime Republikës së Kosovës për bashkimin në misionin tuaj të parë paqeruajtës ndërkombëtar”, ka shkruar Engel.
Nisja e pjesëtarëve të FSK-së në misionin e parë paqësor jashtë vendit, përkatësisht në Kuvajt, u bë të martën e 9 marsit dhe u cilësua si ditë historike nga udhëheqësit politikë në Kosovë.
Në ceremoninë e zbarkimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në misionin e parë paqësor jashtë vendit, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, tha se misioni paqeruajtës gjashtëmujor u bë falë Shteteve të Bashkuara.
“Programi i partneritetit shtetëror me ushtrinë amerikane ka qëllim afatgjatë dhe ka për qëllim krijimin dhe zgjerimin e partneritetit me FSK-në, në funksion të promovimit të sigurisë rajonale, por edhe më gjerë. Sot një nga këta objektiva po nis përmbushjen e tij”, tha Osmani.
Kontingjenti i FSK-së, që niset për në Kuvajt, do të jetë si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowas. /Insajderi.com