Enigma për postin e ministrit nuk mund të zgjidhet pa Presidentin

Enigma për postin e ministrit nuk mund të zgjidhet pa Presidentin

Dilema lidhur me ministrit e shkarkuar të Punë të Brendshme, Flamur Sefaj për shkak të skandalit me deportimin e gjashtë turqve nuk do të mund të zgjidhet më së largu deri të hënën, shkruan Insajderi.

Çështjen e komplikoi njohësi i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, i cili tha se Aleanca Kosova e Re ia kishte ofruar postin e ministrit për ta zëvendësuar Flamur Sefajn.

Por, menjëherë ka ardhur reagimi i AKR-së, parti kjo e cila e ka mohuar të jetë propozuar Qehaja për postin e ministrit.

Vesel Makolli nga kjo parti ka mohuar të jetë propozuar Qehaja për postin e ministrit të Punëve të Brendshme.

“Nuk e kemi propozuar, nuk kam asnjë informatë por edhe jam i sigurt që nuk është kandiduar. Unë e pash një deklaratë të tij, por të them të drejtën m’u qesh kur e pash këtë deklaratë, sepse nëse i ishte ofruar atij ky post dhe nëse kish qenë politikan nuk ishte dashur të deklarohet fare pa u vendosë dhe jo me na nënçmuar me një farë forme”, ka thënë Makolli për Insajderin.

Po ashtu më tej ka thënë se çështja për kandidimin e ndonjë personi për postin e ministrit nuk mund të bëhet pa Presidentin e AKR-së, Behgjet Pacollin. Ai pritet të kthehet në Kosovë brenda këtyre ditëve.

“Kjo punë nuk kryet pa presidentin [Behgjet Pacolli], ai është në një udhëtim zyrtarë dhe nuk është në Kosova, po besoj që më së largu deri të hënën mund të vijë”, ka thënë Makolli për Insajderin.

Kujtojmë se javën e kaluar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj kishte kërkuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj dhe drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, për shkak të skandalit me deportimin e gjashtë turqve nga Kosova.

Flamur Sefaj ka dhënë dorëheqje, por Driton Gashi, drejtori i AKI-së vazhdon ta mbajë postin e drejtorit, i cili njihet edhe si person i afërm me presidentin e vendit, Hashim Thaçin.

Javën e kaluar gjashtë gylenistë u deportuan nga Kosova për në Turqi. Atyre u ishte revokuar leja e qëndrimit në Kosovë./Insajderi.com