Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese pritet të ballafaqohet me aktakuzën për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar. Aktakuza kundër tij do të shkojë në Gjykatë për shqyrtim fillestar
Enver Hasani do të dalë para drejtësisë për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Aktakuza e ngritur disa ditë më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është hedhur poshtë. Si e tillë ajo do të shkojë në Gjykatë për shqyrtimin e parë fillestar.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë vetëm hetimin e veçantë të cilin e kishte lejuar vetë vitin e kaluar. Madje kishte caktuar edhe një seancë për ta marrë në pyetje gjyqtarin ndërkombëtar Robert Carolan, por që nuk ishte kryer intervistimi i tij për shkak se kishte munguar i pandehuri Hasani.
Ndërkohë, Prokuroria ka hequr dorë nga hetimi i veçantë sepse kohë më parë prokurori Blerim Isufaj e ka marrë në pyetje dëshmitarin Carolan.
Megjithatë, kolegji i përbërë prej Altene Murselit – kryetare, Beqir Kalludrës dhe Kreshnik Radoniqit – anëtarë ka vendosur që mos ta lejojë hetimin e veçantë bazuar në një parashtresë të mbrojtjes së Hasanit.
Kolegji, para se të vendoste nuk ia ka dërguar këtë parashtresë fare Prokurorisë siç obligohet me ligj për t’i dhënë mundësi të përgjigjet, por vetëm ka vendosur bazuar në parashtresë.
Prokuroria nga ana tjetër është ankuar në Gjykatën e Apelit kundër këtij aktvendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Është bazuar në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale; shkelje të Kodit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Prokuroria Speciale, muajin e kaluar, ka ngritur aktakuzë kundër Hasanit për kryerjen e veprave penale: Falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Hasani, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, akuzohet se me dashje, duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme pozitën dhe autorizimin zyrtar në rastin e vendosjes për kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me dekretin e saj, që kishte të bënte me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese, ka nxjerrë aktvendim për papranueshmëri. Si pasojë gjyqtarët kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Hasani, me dashje ka shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin e njëjtë mbi papranueshmërinë, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështje kushtetuese. Por Carolan nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështje.
Ndërkohë Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë të datës prill 2015, për zbatimin e mundësisë së hetimit të veçantë.
“Në radhë të parë, shkelja e procedurës penale qëndron në faktin se gjykata e shkallës së parë nuk i ka dërguar prokurorisë kundërshtimin e mbrojtësit të të pandehurit Enver Hasani, ushtruar kundër kërkesës së prokurorisë për zbatimin e hetimit të veçantë”, thuhet në ankesën e Prokurorisë që ka siguruar gazeta online Insajderi. Me këtë pretendohet se gjykata e ka shkelur parimin e barazisë së palëve në procedurë penale, gjë që ka mund të ndikojë në nxjerrjen e ligjshme të vendimit gjyqësor.
Përveç kësaj, Prokuroria thotë se ka mbetur e habitur se si gjykata e shkallës së parë i ka dërguar prokurorisë aktvendimin mbi refuzimin e kërkesës për zbatimin e hetimit të veçantë më 1 shkurt 2016, edhe pse ky vendim është nxjerr qysh me datën 17 dhjetor 2015.
Pos kësaj, Gjykata këtë vendim ia ka dërguar Prokurorisë pasi që prokuroria me 22 dhjetor 2015 e ka intervistuar drejtpërdrejt dëshmitarin Robert Carolan, dhe pasi që me datën 13 janar 2016 ka ngritur aktakuzë kundër Hasanit.
Prokuroria para se ta dorëzonte aktakuzën në Gjykatë e ka shfrytëzuar mundësinë ligjore për intervistimin e drejtpërdrejtë të dëshmitarit Robert Carolan, për të cilin fillimisht ka kërkuar nga gjykata mundësinë e hetimit të veçantë me arsyetimin se dëshmitari nuk është shtetas i Republikës së Kosovës dhe se ekziston rreziku se marrja e tij në pyetje nuk do të mund të sigurohet gjatë shqyrtimit gjyqësor, meqë ai mund të kthehet në vendbanimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prokuroria ka renditur veprimet e njëpasnjëshme të Gjykatës. Ka thënë se aktvendimi është i palogjikshëm dhe në kundërshtim me veprimet e ndërmarra para nxjerrjes së aktvendimit të fundit.
Kështu, me 20 maj 2015, gjykata e shkallës së parë i është drejtuar Komisionit për Mandate dhe Imunitete të Kuvendit të Republikës së Kosovës për heqjen e imunitetit ndaj të pandehurit Enver Hasanit.
Por, komisioni nuk është kompetentë për heqje të imunitetit por presidentja e vendit. Këtë përgjigje ia ka kthyer edhe komisioni se nuk bije në fushëveprim e tij meqë ka për mandat vetëm heqjen e imunitetit ndaj deputetëve. Përgjigja i është kthyer më 16 dhjetor 2015. Po të njëjtën ditë, mbrojtësi i të pandehurit Enver Hasani ka paraqitur kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë së aktvendimit për fillimin e hetimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe kërkesës për zbatimin e hetimit të veçantë.
Si rrjedhojë, gjykata e shkallës së parë me 17 dhjetor 2015 ka vendosur për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zbatimin e mundësisë së hetimit të veçantë me arsyetim.
“Paneli me datë 17.12.2015 pas pranimit të përgjigjes së Komisionit për Imunitete dhe Privilegje të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe parashtresës së avokatit mbrojtës të të pandehurit Enver Hasani gjen se kërkesa e Prokurorisë Speciale… për zbatimin e mundësisë së hetimit të veçantë është e pabazuar dhe si e tillë nuk mund të pranohet”, thuhet në vendim të Gjykatës.
Gjykata vazhdon duke thënë se çështja penale ka të bëjë me imunitet funksional të Kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e po ashtu ka të bëjë edhe me pavarësinë në vendimmarrje të tyre e cila garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi.
Madje thotë se as gjyqtari ndërkombëtar nuk mund të merret në pyetje si dëshmitar për shkak të imunitetit.
Prokuroria pretendon se në këtë mënyrë, duke folur për imunitetin funksional të zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës, kjo gjykatë de facto dhe de jure i jep imunitet personal ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, tani të pandehurit Enver Hasani, si dhe të gjithë personave të lartë zyrtarë, që mund të bëjnë çdo gjë. Prokuroria vazhdon më tej duke thënë se me këtë vendim Gjykata jep imunitet edhe vepra penale të vrasjes… të dhunimit… edhe terrorizmit, apo çfarëdo vepre tjetër penale dhe të mos përgjigjen duke u thirrur në imunitet funksional.
Mirëpo, vetë Gjykata Kushtetuese në kohën e Enver Hasanit ka sqaruar çështjen e imunitetit funksional që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Themelore në Prishtinë.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, imuniteti funksional i zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës është interpretuar nga Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin KO 98/11 të datës 20 shtator 2011, me ç’rast qartë është theksuar se imuniteti funksional ka të bëjë me ushtrimin e autorizimeve ligjore e jo edhe me keqpërdorimin e këtyre autorizimeve apo shkeljen e ligjit, siç është rasti konkret për të cilin është ngritur aktakuza ndaj të pandehurit Enver Hasani.
Sipas vlerësimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, veprimet për të cilat akuzohet Enver Hasani, nuk i ka ndërmarrë brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për të cilat gëzon imunitet funksional.
Prokuroria i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ta aprovojë ankesën e Prokurorisë si të bazuar dhe të anulojë Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për krime të rënda, të datës 17 dhjetor 2015, si dhe të konstatojë se në rastin konkret i pandehuri Enver Hasani nuk gëzon imunitet funksional.