Enver Hasani përfundimisht i pafajshëm

Enver Hasani përfundimisht i pafajshëm

Enver Hasani është shpallur i pafajshëm nga akuza për falsifikim dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me të cilën e ngarkonte Prokurori i Shtetit. Gjykata Supreme, si instancë e fundit gjyqësore, i ka hedhur poshtë akuzat.

Verdikti është dhënë më 28 mars, por akoma nuk është publikuar.

Koha.Net e ka siguruar një kopje të tij. Aktgjykimi thekson se ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nuk mund të ndiqej penalisht shkaku i imunitetit funksional dhe as dëshmitari kyç, Robert Carolan, nuk mund të intervistohej për aq kohë sa kishte imunitet. E, edhe sikur imuniteti të mos ishte, sipas Supremes, në këtë rast nuk kishte vepër penale.

Prokurori i Shtetit e akuzonte Hasanin se në rastin e vazhdimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë të Kushtetueses, e kishte falsifikuar vendimin, përkatësisht nënshkrimin e gjyqtarit amerikan, Carolan.

Me aktgjykim, Supremja e ka refuzuar si të pabazuar ankesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruar nga Prokurori i Shtetit.

Organi i akuzës e kishte paraqitur ankesën kundër një aktvendimi të Gjykatës së Apelit, e cila në fund të vitit të shkuar kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes së Hasanit, duke e ndryshuar kështu aktvendimin e Gjykatës Themelore, e cila e kishte refuzuar si të pabazuar kundërshtimin ndaj aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtja. Në aktgjykimin prej 9 faqesh, Supremja ka trajtuar edhe çështjen e imunitetit dhe atë të veprës penale.

“Sipas nenit 117 të Kushtetutës…, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga detyra për vendimet e marra, mendimet e shprehura dhe veprimet e marra brenda fushës së përgjegjësisë, si gjykatës të Gjykatës Kushtetuese. Nga kjo rezulton qartë se ndaj gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese sikundër edhe ndaj gjyqtarëve të gjykatave të rregullta, në asnjë variant nuk mund të fillohet procedura penale për vendimin që ata kanë marrë në kuadër të mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor… Në rastin konkret, në asnjë variant nuk ka mundur të dëgjohet si dëshmitar gjyqtari ndërkombëtar, Karolain, ngase ky person ishte i mveshur me imunitet diplomatik absolut”, thuhet në arsyetimin e Aktgjykimit.

“Në rastin konkret, edhe sikur të mos ekzistonin pengesat për ndjekje penale, jo vetëm që nuk është përmbushur asnjëri nga elementet për ngritjen e aktakuzës, por nuk ka ekzistuara as një nivel minimal (i bazuar jo se jo) për të filluar hetimin ndaj të pandehurit”.

Në vijim mund ta gjeni përmbajtjen e aktgjykimit, të siguruar nga Koha.Net, por i cili ende nuk është firmosur nga kryetari i Kolegjit, Avdi Dinaj.