
Ish-kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas zgjedhjes së Memli Krasniqit kryetar të kësaj partie, njofton Insajderi.
Hoxhaj thotë se zgjedhja e Krasniqit në krye të PDK-së është një nevojë dhe domosdoshmëri.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoxhaj shtoi se ky subjekt politik ka nevojë të reformohet.
“Partia Demokratike e Kosovës tregoi një tjetër pjekuri politike sot. Ajo demonstroi fuqi, vetëdije dhe vendimmarrje në kohën dhe momentin e duhur. Në Konventën e dhjetë zgjedhore të partisë, të gjithë e kemi ndjerë mungesën e liderëve historik Hashim Thaçi e Kadri Veseli, por kemi debatuar e vepruar me shikimin nga e ardhmja”, ka shkruar Hoxhaj.
“Me bashkëpunëtorit tim, Memli Krasniqi në krye të PDK-së është një nevojë dhe domosdoshmëri. Është lajm i mirë për PDK-në dhe për Kosovën. Partia ka nevojë të hapet dhe të reformohet por asnjëherë ta harroj të kaluarën e saj që buron tek lufta çlirimtare. Rrugëtimi i përbashkët në fitore e beteja të mëdha politike për shtetin e Kosovës, na bën të përgjegjshëm për të ndjekur me krenari rrugëtimin historik të liderëve tanë. Na priftë e mbara në këtë etapë të re”, shtoi ai. /Insajderi.com