Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i ka shkruar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në të cilën thuhet se “do të ishte e dobishme për qeverinë tuaj të rishikonte këtë çështje”, duke iu referuar ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Madje, Erdogan në letrën e urimit për Albin Kurtin, thotë se e di që edhe kryeministri i Kosovës “e ka këtë shqetësim”.
“Pasiqë e di se edhe ju keni gjithashtu shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës është njoftuar se është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për qeverinë tuaj të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave prkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, shkruhet në letrën e Erdoganit.
Presidenti i Turqisë e quan popullin e Kosovës “vëlla”, dhe shprehet i kënaqur që Qeveria e Kosovës filloi detyrën me votat e qytetarëve.
Erdogan e ka përgëzuar Kurtin edhe për përfshirjen e komunitetit turk në Qeveri – me dy ministri.
Ai thotë se do ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën, raporton Insajderi.
Njeriu më i pushtetshëm në Turqi, kishte kërkuar nga Kurti që ta shqyrtonte vendimin e Prishtinës që ambasada e Kosovës në Izrael të jetë në Jerusalem.
Kosova e ka dërguar ambasadën në Jerusalem, disa ditë para që Albin Kurti ta merrrte pushtetin. /Insajderi.com