Erdogani kritikon Macronin: Merru me “jelekverdhët” në rrugët e Parisit

Erdogani kritikon Macronin: Merru me “jelekverdhët” në rrugët e Parisit

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përsëri kritikoi të hënën  homologun e tij francez Emmanuel Macron, duke i thënë atij se Islami është i gabuar të shoqërohet me terrorizmin dhe se do të ishte më mirë që të merrej me “jelekverdhët” në rrugët e Parisit.

Nga samiti i ministrave të Çështjeve Sociale të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OIC) në Stamboll, Erdogan iu referua një fjalëmbajtje të Macronit në samitin e NATO-s pak ditë më parë në Londër, duke thënë:

“Ne patëm mundësinë që të dëgjonim presidentin francez të fliste në samitin e fundit të NATO-s për ‘terrorizmin islamik’. Unë i kam thënë vazhdimisht atij se Islami ka kuptimin e paqes në rrënjën e emrit të tij. Si mund ta identifikoni Islamin ose paqen me terrorizmin? Është e pamundur! E ai përsëriti të njëjtën gjë në samitin e fundit të NATO-s”, tha Erdogan.

Presidenti turk gjithashtu foli për ndikimin politik dhe përparimin ekonomik të myslimanëve në botë, të cilat ai e përshkroi si të pamjaftueshëm.

“Sot, myslimanët, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së botës, për fat të keq nuk kanë asnjë ndikim politik ose zhvillim ekonomik, shoqëror dhe kulturor në përpjesëtim me fuqinë e tyre”, tha Erdogan.

Ai kujtoi se themelimi i OIC ishte i bazuar në çështjen e Jeruzalemit dhe theksoi se situata në Jeruzalem dhe Palestinë, për të cilën ai tha se ishte e pandashme prej tij, po përkeqësohej çdo ditë.

Ai e bëri pyetjen për aq kohë sa myslimanët do të heshtnin për gjithçka që u ndodh atyre sot.