Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me shefin e të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të mërkurën në Bruksel, transmeton Insajderi.com.
Escobar, i cili njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.
“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar, raporton REL.
Zyrtari amerikan tha se duhet urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura.
Bislimi dhe Petkoviq i kthehen sot tavolinës së bisedimeve në Bruksel në takime të ndara me ndërmjetësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Brukseli ka thënë se pret që kryenegociatorët, jo vetëm të jenë të gatshëm të diskutojnë, por edhe të kenë mandat të qartë që të arrijnë ndonjë rezultat në takim. /Insajderi.com