Escobar dhe Lajçak vizitojnë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin

Escobar dhe Lajçak vizitojnë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pritet të vizitojnë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin.

Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh nga burimet e saj se Escobar dhe Lajçak do të qëndrojnë të martën në Prishtinë.

Sipas këtyre burimeve, ata do të bëjnë përpjekje për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.

Burimet e BE-së kanë thënë se “do ta vazhdojnë punën intensive në kërkim të zgjidhjes” dhe se “derisa të mos arrihet zgjidhja, nuk do ta konsiderojnë këtë rund të dialogut si të përfunduar”.

Vizita e fundit e Escobar dhe Lajçakut në Kosovë dhe Serbi ishte në shkurt të këtij viti.

Përpjekja e dy diplomatëve ishte që ta ripërtërijnë dialogun Kosovë-Serbi.

Dyshja ishin takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Osmani në takim me Lajçak dhe Escobarin
Gjatë konferencës për media, Lajçak kishte thënë vizita në Prishtinë bashkë me Escobarin, ishte për të dërguar mesazh të qartë se “BE-ja dhe SHBA-ka po bashkëpunojnë dhe se ndajnë vizionin për Kosovën, dialogun e normalizimin me Serbinë”.
Kurse, gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, diplomatët kanë kërkuar nga Vuçiq dialog konstruktiv me Kosovën.
Theksojmë se më 18 gusht, pak pas orës 10:30, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq zhvilluan raundin e ri të bisedimeve, në prani të Përfaqësuesit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar, përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

I pranishëm ishte edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përmes një deklarate, Qeveria e Kosovës bëri të ditur se në agjendë ishin dy tema, ajo për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes dhe çështjet aktuale politike e të sigurisë.

Sipas qeverisë, Kurti në takimin e sotëm ka kërkuar që marrëveshja të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.

“Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Takimi mes Kurtit e Vuçiqit përfundoi pa marrëveshje, teksa këtë e bëri të ditur vetë Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili tha se nuk do të dorëzohen.

Ai tha se nëse situata eskalon, edhe pala kosovare por edhe ajo serbe, janë përgjegjëse./Insajderi.com