Escobar pas takimit me Osmanin: Jam optimist, pres lajme të mira nga Ohri

Escobar pas takimit me Osmanin: Jam optimist, pres lajme të mira nga Ohri

I dërguari i SHBA-ve për dialogun, Gabriel Escobar, pas takimit që ka pasur me presidenten Osmani, në një konferencë për media ka thënë se pret rezultat pozitiv nga takimi i 18 marsit në Ohër.

Ndërsa për planin evropian, Escobar ka thënë se i jep një mundësi të madhe për paqe Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të fjalë së tij ka thënë se shpreson për lajme të mira pas të shtunës.

“Mirëpres takime produktive në Ohër. Ne kemi për qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësit për Kosovën dhe Serbinë për tu bërë pjesë e komunitetit euro-atlantik.

Ky propozim jep një mundësi të madhe për paqe për të dy vendet. Ne kemi synim që kjo të funksionoj për Kosovën por jo vetëm për Kosovën. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër. Jam shumë optimist për një zgjidhje një paqësore. Dhe shpresoj se pas të shtunës do të kemi lajme të mira”, ka thënë Escobar.

Ndërsa, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i hap rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, duke shtuar se Kosova në Ohër shkon me mendësinë e arritjes së një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

“Besojmë fort se një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë dhe prosperitet. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi dhe shpresë për rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për ta penguar këtë marrëveshje mund ta dëmtoj procesin e dialogut.

Jam e bindur se marrëveshja do të sjell rezultate konkrete, integrimin Kosovës në institucionet euroatlantike”, theksoi Osmani.

Gabriel Escobar dhe Vjosa Osmani

Ndryshe, Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Më 18 mars, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të mbajnë takime dypalëshe me Kurtin dhe Vuçiq, dhe më pas është paraparë të mbahet takimi i përbashkët.

Takimet dypalëshe pritet të nisin paraditen e së shtunës.