Esocbar: SHBA nuk është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, por e mbështet plotësisht

Esocbar: SHBA nuk është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, por e mbështet plotësisht

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, tha se është mënyra e vetme për të arritur një marrëveshje mes dy vendeve.

Në një intervistë dhënë për N1 të Sarajevës, Escobar tha se SHBA-ja nuk është pjesë e dialogut, por e mbështet zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe “qasjen e përshpejtuar ndaj marrëveshjes përfundimtare”, transmeton Insajderi.com.

“Dialogu është një mekanizëm përmes të cilit ata duhet të diskutojnë rreth dallimeve. Ajo udhëhiqet nga BE-ja dhe është pengesa më e madhe (për të dyja vendet) në rrugën drejt BE-së”.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, por e mbështesim plotësisht. Ne gjithashtu mbështesim zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por edhe qasjen e përshpejtuar drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, u shpreh ai.

Ndërsa, për Serbinë, tha se “shpresa jonë është që ajo të ndjekë rrugën e saj evropiane”.

“Të mbyllë kapitujt për të ecur drejt anëtarësimit në BE. Të zgjidhim dallimet me Kosovën përmes dialogut dhe të vendosim marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj”.

I pyetur se si e sheh të ardhmen e Aleksandar Vuçiqit si president i Serbisë, Escobar tha se i takon popullit serb të vendosë./Insajderi.com