Estonia do ta përkrah rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, njofton Insajderi.
Këtë e ka konfirmuar ministrja e Punëve të Jashtme estoneze, Eva-Maria Liimets në një takim virtual të mbajtur me kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla, njofton Insajderi.
Në këtë takim, Gërvalla ka falënderuar ministren Liimets, për bashkëpunimin dhe përkrahjen që Estonia i ka ofruar Kosovës në sfera të ndryshme.
Palët kanë vlerësuar se raportet mes të dyja vendeve janë të mira dhe kanë konsideruar që duhet të thellohet bashkëpunimi bilateral dhe shkëmbimi i përvojave.
Ministrja Gërvalla ka njoftuar homologen e saj me prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
“Prioritet i Qeverisë sonë është forcimi i sundimit të rendit dhe ligjit, sigurimi i vendeve të reja të punës, reformat në ekonomi, arsim e shëndetësi”, ka nënvizuar ndër të tjera ajo.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Estonisë ka ritheksuar qëndrim mbështetës të shtetit të saj karshi Kosovës. /Insajderi.com