Vendimi i Qeverisë për anulimin e dasmave për shkak të pandemisë ka detyruar estradën dhe pronarët e restorantëve të dalin në rrugë.

Këngëtarët dhe pronarët e restorantëve kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës për të kërkuar lejimin e organizimit të dasmave në Kosovë.
Për shkak të përhapjes së Covid-19, ahengjet familjare janë anuluar. Por, kjo ka ngjallur pakënaqësi të madhe tek estrada kosovare dhe pronarët e restorantëve të cilët kërkojnë domosdosmerisht të lejohen dasmat pasi besojnë se do të shkaktohen dëme të mëdha financiare.
Këngëtari, Labinot Tahiri është iniciuesi kryesor i kësaj proteste të cilën e kishte paralajmëruar më parë si kundërshtim ndaj vendimit se gjatë verës së vitit 2020 nuk do të ketë dasma.
Ky sektor vlerësohet të jetë me vlerë milionësh dhe një anulim i tillë do të shkaktonte humbje të mëdha financiare për shumë biznese dhe estradën, vlerësohet të jetë motivi i protestës. /Insajderi/