Etiketon gazetarët si lobistë serbo-rusë, përkrahet nga këshilltari i kryeministrit Kurti

Etiketon gazetarët si lobistë serbo-rusë, përkrahet nga këshilltari i kryeministrit Kurti

Elvis Hoxha, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, ka përkrahur deklarimin skandaloz të Hysamedin Ferajt, zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili e ka quajtur pro-rus Richard Grenellin, të Dërguarin Special të ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi.

Hoxha e ka pëlqyer shkrimin në Facebook të Ferajt, në të cilin e ka akuzuar si “pro-rus” zyrtarin e lartë të administratës Trump, Feraj ka linçuar edhe pronarë mediash.

Feraj, në këtë shkrim, ka thënë se Grenelli dhe mediat po lobojnë për “kthimin e pjesshëm ose të plotë të Serbisë në Kosovë”.

“Kthimin e pjesshëm ose të plotë të Kosovës nën Serbinë lobi serbo-rus në SHBA, me përfaqësuesin e vet më të pushtetshëm Richard Grenell, duhet ta bëj pa armë”, ka shkruar Feraj.

“Këtë mund ta realizoj vetëm me lobistët serbo-rus brenda Kosovës, ndër me të zëshmit deri tani: Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Berat Buzhla, Parim Olluri, dhe gjithë media që lobon pro tyre”, ka thënë filozofi radikal i Lëvizjes Vetëvendosje.

Feraj, po ashtu ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është duke u përballur e vetme, siç ka thënë ai, “kundër lobit serbo-rus”.

Hysamedin Feraj është filozof i shkencave politike dhe njihet për qëndrimet e tij radikale. Ai është njëri nga njerëzit më me ndikim tek lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.