
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, është takuar të mërkurën me Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark.
Kryeprokurori Isufaj, e ka vlerësuar si të rëndësishëm rolin e misionit të EULEX-it, në monitorimin e punës së institucioneve gjyqësore, me theks të veçantë të Prokurorisë Speciale.
Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, Wigemark e theksoi nevojën për kapacitete shtesë në punën hetimore për rastet e korrupsionit, terrorizmit si dhe për bashkëpunimin ndër-institucional ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë për ta avancuar punën e prokurorisë.

Takimi midis Isufajt dhe Wigemark
“Gjatë këtij takimi, dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për nevojën e avancimit, bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta në funksion të forcimit të sundimi të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Isufaj dhe Wigemark më tutje u pajtuan për ta zhvilluar më tej bashkëpunimin ndër-institucional lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, personat e pagjetur dhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar. /Insajderi.com