EULEX zotohet: Vazhdojmë punën e personave të pagjetur

EULEX zotohet: Vazhdojmë punën e personave të pagjetur

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur të Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), është zotuar që të vazhdojë punën për të gjetur vendndodhjen e një mijë e 639 personave të pagjetur, njofton Insajderi.

Në një njoftim për media, zyra e EULEX-it thotë se çështja e personave të pagjetur është preokupimi dhe një nga sfidat kryesore të ekspertëve të forenzikës në procesin e përcaktimit të fatit të tyre, e që një numër i konsiderueshëm i viktimave janë varrosur në varreza.

“Problemi kryesor është mënyra e veprimit për fshehjen e varreve. Në kohën kur filloi konflikti në Kosovë, tashmë ishte e njohur se varret masive ishin të dukshme nga ajri. Pra, autorët i fshehën trupat në varre më të vogla, klandestine, madje edhe në varreza të rëndomta për ta bërë më të vështirë kërkimin e personave të pagjetur dhe për t’i fshehur provat e krimeve”, tha arkeologu forenzik i EULEX-it, Javier Santana.

Ai e ilustroi këtë sfidë duke dhënë një shembull: “Nëse dua ta fsheh një libër dhe të sigurohem që do të jetë shumë e vështirë për ta gjetur nga kushdo, gjithçka që duhet të bëj është të hyj në një bibliotekë, ta vendos librin në cilindo raft, dhe pastaj të largohem. Për ta gjetur këtë libër të caktuar, duhet të kërkoni raft për raft, duke kontrolluar kudo, gjë që do të marrë shumë kohë. Kaq e vështirë është ndonjëherë ta gjesh një person të pagjetur të varrosur në një varrezë”.

Më tej në këtë njoftim është marrë edhe mendimi i një nga individët kryesorë të EULEX-it, e cila ka punuar në këtë fushë, se afërsisht gjysma e personave të pagjetur të Kosovës janë gjetur në varreza. Bëhet fjalë për antropologen Tarja Formisto, e cila është zëvendës-drejtoresha e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe eksperte e EULEX-it, dhe akuzohet për humbjen e afër 100 dosjeve të personave të zhdukur nga IML.

Ajo thotë se “ do të vazhdojë të punojë bashke me kolegët vendas për ta zbuluar fatin e personave të pagjetur duke ofruar ekpertizë dhe këshilla”.

Derisa EULEX konstaton se shumica e këtyre dosjeve të humbura nuk ishin të luftës së fundit, por më të kahershme, e një komunikim elektronik midis Formistos e IML-së, i siguruar nga Gazeta Online Insajderi, e dëshmon të kundërtën, sonte ky mision do t’i fikë dritat në selinë e tij në orën 20:00 në mbështetje të iniciativës “Në errësirën e personave të pagjetur”, por afër 100 dosje të humbura, që nënkupton afër 100 vrasje të cilave më s’mund t’u dihet autori, është një temë për të cilën ky mission po heshtë. /Insajderi.com