Eurodeputetët dënojnë dhunën në Beograd

Eurodeputetët dënojnë dhunën në Beograd

Deputetët socialdemokratë, Tanja Fajon, Kati Piri dhe Tonino Picula thonë se janë të shqetësuar me dhunën policore kundër protestuesve gjatë protestave të mbrëmshme në Beograd kundër masave të reja COVID-19.

“Ne i bëjmë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që më në fund të veprojë me përgjegjësi në lidhje me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19. Nuk është koha për dhunë dhe përdorim jo proporcional të forcës kundër demonstruesve,” thanë socialdemokratët evropianë në Twitter.

Deputetët Fajon, Picula dhe Piri vlerësojnë se presidenti Vuçiq deri më tani ka injoruar sigurinë e njerëzve për shkak të përfitimit politik.

Të njëjtët deputetë nga grupi i socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian më parë deklaruan se ekziston një mungesë e demokracisë në Serbi dhe kërkuan bllokimin e procesit të pranimit të Serbisë./Insajderi.com