Media Euronews, ka shkruar rreth vizitës së Albin Kurti në Bruksel – ku raportohet se kryeministri i Kosovës nuk ka përmendur ndonjë datë se kur mund të jetë në tryezën e Bashkimit Evropian për të diskutuar me Serbinë.
Qershori është përmendur si muaj potencial për fillimin e negociatave Kosovë-Serbi, transmeton Insajderi.
Kurti ka pranuar të marrë pjesë në darkën e punës që Brukseli e organizon me liderët e Bashkimit Evropian më 18 maj, por 11 maji si datë takimi Vuçiq-Kurti është refuzuar nga ky i fundit për shkak të “mosinformimit paraprak” dhe kohës e cila i duhet për përgatitje.
Euronews raportoi edhe për disa “non paper” të publikuar e që i atribuohen Gjermanisë, Francës e Sllovenisë.
Këto “non paper”, erdhën në një kohë kur para Kurtit në Bruksel ishte presidenti i Serbisë – për të diskutuar pikërisht rreth dialogut.
Për sa i përket dialogut, të enjten kreu i ekzekutivit kosovar në Parlamentin Evropian, përmendi disa parime mbi të cilat duhet të ndërtohet raporti në dialog.
“Kosova nuk duhet të jetë çështje, por palë në dialog”, ka thënë Kurti.
Para 11 viteve kanë filluar bisedimet Kosovë-Serbi të indërmjetësuara nga Brukseli zyrtar.
Një pjesë e madhe e marrëveshjeve të arritura kanë mbetur veç në letër, pa u implementuar. /Insajderi.com