Paralajmërohet krizë e thellë ekonomike. Evropën e presin ditë të vështira.
Kriza e koronavirusit do ta zhysë Evropën në një recesion më të thellë nga sa mendohej fillimisht”, – tha Komisioni Evropian. Por disa ekonomi pritet të jenë më mirë se të tjerat.
Sipas një parashikimi ekonomik të përditësuar të Komisionit Evropian ekonomia e eurozonës do të bjerë këtë vit në një recesion më të thellë nga sa mendohej fillimisht dhe rimëkëmbja në vitin 2021 do të jetë më pak e fuqishme.
Në dokumentin në fjalë parashikohet që ekonomia e 19 vendeve që përdorin euron do të tkurret në vitin 2020 me 8.7% para se të rikuperohet vitin e ardhshëm me 6.1%.
Për 27 vendet që përbëjnë BE-në, në vitin 2020 pritet një rënie prej 8.3%, pasuar nga një rritje prej 5.8% në vitin 2021.
Kjo do të thotë që në vitin 2021 Evropa do të jetë akoma më keq sesa para shpërthimit global të COVID-19 që detyroi kombe në mbarë globin të merrnin masa kufizuese dhe ta reduktonin në mënyrë drastike tregtinë.
Në maj Komisioni kishte parashikuar për vitin 2020 një rënie të përgjithshme prej 7.7% dhe një rritje prej 6.3% për vitin e ardhshëm.
“Ndikimi ekonomik i masave kufizuese është më i rëndë sesa prisnim fillimisht,” tha nënkryetari i Komisionit Valdis Dombrovskis në një deklaratë të lëshuar bashkë me parashikimet e përditësuara.
Dallime drastike midis vendeve të BE-së
“Parashikimi i verës tregon, para së gjithash, se rruga për rikuperim është akoma e shoqëruar me pasiguri,” – tha komisioneri i BE-së për ekonominë Paolo Gentiloni në një konferencë për shtyp në Bruksel. “Dallimet që priteshin midis vendeve anëtare janë bërë gjithashtu më të mëdha.”
Ekonomitë e Francës, të Italisë dhe të Spanjës pritet të tkurren me mbi 10% para se të shënojnë një rimëkëmbje të pjesshme vitin e ardhshëm.
Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, duket se do të pësojë një tkurrje relativisht të butë prej 6.3% këtë vit pasuar nga një rritje prej 5.3% në vitin 2021.
Holanda dhe Polonia gjithashtu parashikohet të kenë tkurrje më pak ekstreme, thuhet në raport.
“Përgjigja e politikave në të gjithë Evropën ka ndihmuar në zbutjen e goditjes për qytetarët tanë, megjithatë kjo mbetet një histori e rritjes së divergjencës, të pabarazisë dhe të pasigurisë,” tha Gentiloni./Insajderi.com