Expressi britanik: Von der Leyen turpërohet nga Kurti pasi i përmendet “padrejtësia e madhe”

Expressi britanik: Von der Leyen turpërohet nga Kurti pasi i përmendet “padrejtësia e madhe”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raportohet se është turpëruar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën para samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Slloveni, pasi ai tha se është padrejtësi e madhe që pesë shtete anëtare të Unionit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, transmeton Insajderi.com.

Siç raporton medium britanik ‘Express.co.uk’, diskutimet në këtë samit do të sillen rreth investimeve rajonale, sigurisë dhe rimëkëmbjes socio-ekonomike nga pandemia COVID-19.

Faqja britanike e lajmeve raportoi se delegatët e këtij samiti do ta vlerësojnë progresin e gjashtë shteteve ballkanike – Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore, Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës – drejt anëtarësimit në BE.

Në samitin që po kryesohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e pranishme është edhe kancelarja e deritashme e Gjermanisë, Angela Merkel.

Ndryshe, për deklaratën e Kryeministrit Kurti të dhënë gjatë paradites së 6 tetorit, raportoi edhe agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”.

“Ka qenë një padrejtësi e madhe, një mungesë e drejtësisë ndaj qytetarëve të vendit tonë”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur arriti në samit, duke theksuar se pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga Serbia, shkroi Reuters.

“Unë jam për mungesë të frikës në anën e BE-së dhe për mungesë të hidhërimit në anën e Ballkanit. Ende kam shpresë”, shtoi ai. /Insajderi.com