Ka dy muaj që sipas gazetës serbe “Novosti”, menaxhmenti i fabrikës së mobilieve “Simpo” në Vranjë dhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovë e Metohi në Qeverinë e Serbisë, po bisedojnë me “autoritete e vetëqeverisjes lokale në Zubin Putik në kërkim të mënyrave që kjo fabrikë të rifillojë prodhimin e mobilieve në komunën në veri të Kosovës”.
Fabrika me sipërfaqe prej 5 mijë e 900 metrash katror lajmëronte atë kohë se 150 veta kishin mbetur pa punë.
“Simpo”, selia e së cilës është në Vranje të Serbisë, në korrik të vitit 2011 kishte mbyllur fabrikën e saj në Zubin Potok, “vetëm pak ditë pas vendimit të Prishtinës për të vendosur embargon në importin e mallrave nga Serbia”, ka vendosur që të rihapë këtë fabrikë, pavarësisht faktit se prona në të cilën planifikon të vendoset fabrika i përket shtetit të Kosovës.
Por kërkon ta shfrytëzojë tokën në pronësi të shtetit të Kosovës.
“Autoritetet në Prishtinë gjithmonë gjejnë arsye për të penguar rikthimin e fabrikës, duke pretenduar se prona e Simpos i përket shtetit të Kosovës, por në fakt është vetëm një arsye për të parandaluar ringjalljen e fabrikës”, shkruan gazeta duke cituar biznesmenin serb, drejtorin e përgjithshëm të “Simpo” Slagjan Dishiq.
Fatin e njëjtë sikur në Zubin Potok, “Simpo” e kishte pasur edhe në Vranjë, kur ishte mbyllur, për të rifilluar prodhimin në nëntor të vitit 2014.
Drejtori i përgjithshëm i “Simpo” Slagjan Dishiq, ka thënë për “Novosti” se brenda vitit 2016, kjo fabrikë pritet të rikthehet në prodhim në Zubin Potok “sapo të krijohen kushtet ligjore dhe të sigurohet ndihmë maksimale nga komuna e Zubin Potokut”.
Me rihapjen e kësaj fabrike “Simpo” thotë se synon të rikthejë në punë 75 veta nga 150 sa ishin në këtë Fabrikë.
Duke sqaruar “kushtet ligjore” drejtori i kompanisë ka thënë se me autoritetet e Zubin Potokut, janë duke shikuar mundësinë që prona në të cilën ka qenë Fabrika t’i jepet Simpo-s./Insajderi.com