Fadil Hoxha ka qenë prijës i strukturave që kanë kryer krime të tmerrshme mbi shqiptarët

Një pjesë e elitës politike dhe shoqërore e Kosovës së shekullit të ri ka bërë gjeste paradoksale kur ka nderuar Fadil Hoxhën, madje duke i bërë varrim me nderime ushtarake të TMK-së, sigurisht me miratimin e udhëheqësit politik të krahut të luftës, atëherë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçit. Po ky Thaçi, tani President i Kosovës, dhe Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, i kanë bërë homazhe sivjet Shaban Polluzhës, lëvizjen e të cilit dhe atë vetë i kanë vrarë Fadil Hoxha me partizanët e tij në mbarim të Luftës së Dytë.

Fadil Hoxha ka qenë prijës i strukturave që kanë kryer krime të tmerrshme mbi shqiptarët

Shoqëritë shqiptare, as në Shqipëri, as në Kosovë, nuk kanë dënuar përnjëmend institucionalisht krimet e komunizmit, ndonëse të dyja vendet kanë vuajtur krime të rënda të sistemit komunist pas Luftës së Dytë Botërore.

Në Kosovë ka pasur para disa vitesh një iniciativë (sa për sy e faqe) për miratim të një rezolute që do të dënonte krimet e komunizmit. Shqipëria ka miratuar një rezolutë të tillë, në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike të Sali Berishës, pa votat e socialistëve, që tash janë në pushtet. Rezoluta është miratuar, por krimet nuk janë dënuar, sepse, pa ligjin e lustracionit, kjo nuk mund të bëhet. Presidenti shqiptar Bujar Nishani ka ngritur alarmin në janar të këtij viti kur ekspertë të drejtësisë atje propozonin futjen e një neni në Kushtetutën e Shqipërisë që do të ndalonte një herë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri.

Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës, ndërsa Kosova synon të bëhet anëtare e këtij Këshilli të rëndësishëm një ditë.

Këshilli i Evropës ka miratuar dy rezoluta, në vitet 1996 dhe 2006, përmes të cilave  kërkon nga vendet ish-komuniste “masa për çrrënjosjen e trashëgimisë së sistemeve totalitare komuniste të dikurshme” (Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nr. 1096, e vitit 1996) dhe “nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve komuniste totalitare” (Rezoluta nr. 1481, e po kësaj Asambleje, e vitit 2006).

Kosova do të duhej të miratonte rezoluta e ligje për dënim të krimeve të komunizmit. Kjo bëhet edhe më urgjente tani që nostalgjikë komunistë, të integruar në indin e shoqërisë e të shtetit tonë, po përpiqen të lartësojnë veprimtarinë e Fadil Hoxhës, liderit kryesor komunist në Kosovë gjatë dhe pas Luftës së Dytë, një figurë kundërthënëse thënë më së buti. Ai ka qenë në krye të strukturave komuniste në Kosovë kur janë kryer krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve.

Një pjesë e elitës politike dhe shoqërore e Kosovës së shekullit të ri ka bërë gjeste paradoksale kur ka nderuar Fadil Hoxhën, madje duke i bërë varrim me nderime ushtarake të TMK-së, sigurisht me miratimin e udhëheqësit politik të krahut të luftës, atëherë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçit. Po ky Thaçi, tani President i Kosovës, dhe Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, i kanë bërë homazhe sivjet Shaban Polluzhës, lëvizjen e të cilit dhe atë vetë i kanë vrarë Fadil Hoxha me partizanët e tij në mbarim të Luftës së Dytë.

Në pikën 6 të Rezolutës nr. 1481 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2006 thuhet se “është shumë i dobët ndërgjegjësimi i publikut për krimet e kryera nga regjimet komuniste totalitare”, ndërsa në pikën 7 Asambleja shpreh bindjen se “ndërgjegjësimi për historinë është një nga parakushtet për të shmangur krime të ngjashme në të ardhmen. Për më shumë, vlerësimi nga pikëpamja morale dhe dënimi i krimeve të kryera luajnë një rol të rëndësishëm për edukimin e gjeneratave të reja.”

Ithtarët e Fadil Hoxhës, jo vetëm në Gjakovë, por edhe në ASHAK, le t’i shprehin mirënjohjen e tyre personale Fadil Hoxhës. Për mirënjohje a dënim publik të veprimtarisë së tij më vonë, mbasi të jenë gjykuar bëmat e tij. Unë i njoh për të këqija këto bëma.

(Autori është ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe ish-ambasador në Mbretërinë e Bashkuar. Titulli është i redaksisë)