Fadil Nura dorëhiqet nga pozita e deputetit

Fadil Nura dorëhiqet nga pozita e deputetit

Fadil Nura ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur në Facebook, ku mes tjerash ka thënë se “me përgjegjësi jam angazhuar për të mbrojtur përveç tjerash edhe interesat e komunës sonë”.

“Nderin e njëjtë do ta kem edhe tani t’ju shërbej, vetëm se me përgjegjësinë e kryetarit të Komunës, për çka mëzi pres të nisim angazhimet për punë të mëdha që na presin”, ka shkruar ish-deputeti Nura.

Fadil Nura i Partisë Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka fituar garën pa balotazh në Komunën e Skenderajt.

Kandidati i pavarur për Kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari

Ai ka fituar 57.99 për qind të votave, përballë Bekim Jasharit me 40.64 për qind.

Ndryshe, më 29 tetor, Lista e Pavarur “Bekim Jashari” kishte bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke pretenduar se në ditën e votimit, më 17 tetor 2021, nga vëzhguesit e tyre janë identifikuar fletëvotime të pavulosura në disa vendvotime.

Kjo Listë kishte kërkuar që duke u bazuar në këto fletëvotime, të bëhet rinumërimi i këtyre votave në këto kuti të votimeve dhe të verifikohet saktësia e fletëvotimeve.

Por, PZAP-ja ka hedhur poshtë ankesën duke thënë se “pretendimet e kandidatit janë të paqëndrueshme dhe se nga hetimi paraprak, në këto vendvotime nuk ka pasur ndonjë fletëvotim të pavulosur – siç është pretenduar”.